Perspektiva e naftës në 100 USD për fuçi – Vjen në një kohë të inflacionit në nivel rekord. Shqetëson bankat qendrore

Problemet me inflacionin tek bankat qendrore, që nuk duken më tranzitore, pritet të shtohen prej perspektivës së naftës në mbi 100 dollarë për fuçi. Nafta Brent e Londrës, që u rrit me 50% në vitin 2021, ka shtuar mbi 14% deri më tani për vitin 2022, në nivelin më të lartë në 7 vite prej 89 dollarë. Me kapacitetin e tkurrur, inventarët e ulëta dhe tensionet gjeopolitike që kanë goditur disa vende prodhuese, nafta po i drejtohet 100 dollarëshit, sipas projeksioneve të bankës amerikane Goldman Sachs, që shton se niveli pritet të arrihet në mes të këtij viti.
Banka tjetër JPMorgan, flet për çmime në 125 dollarë për fuçi këtë vit dhe 150 dollarë në vitin 2023. Është e mundur që ndikimi neto i një rritjeje prej 12 dollarë e çmimeve nga niveli aktual nuk do të jetë aq gjigant, ndërkohë që inflacioni e ka reflektuar rritjen e çmimeve të energjisë nga 1 vit më parë. Megjithatë, shumë analistë thonë se ndikimi psikologjik i çmimeve të naftës sipër 100 dollarëve për fuçi nuk mund të nënvlerësohet, veçanërisht në një kohë kur konsumatorët, bizneset dhe politikanët shqetësohen për inflacionin në nivelin më të lartë në disa dekada.
Të dhënat e kësaj jave në Britani mbi inflacionin, që shënoi nivelin më të lartë në 30 vite, treguan se si efekti i energjisë po përhapet edhe tek ushqimi dhe mikpritja. Nëse nafta shënon 100 dollarë dhe qëndron aty, do të binte ndesh me llogaritjet e politikëbërësve. Banka Qendrore Europiane e ka projektuar naftëm Brent në 77.5 dollarë për fuçi në vitin 2022 dhe në 69.4 dollarë deri në vitin 2024. Për më tepër, mund të nxisë bizneset që të kalojnë kostot tek konsumatorët, apo punonjësit që të kërkojnë paga më të larta.
Këto efekte të raundit të dytë, mund të bëjnë që presionet e përgjithshme inflacioniste të nxisin bankat qendrore që të veprojnë. Efektet ndryshojnë nga vendi në vend por në Eurozonë, një rritje me 10% e naftës shton thuajse 0.5% tek inflacioni. Për Shtetet e Bashkuara, sipas studimeve, skenari me naftën në 100 dollarë do të rriste indeksin e Shpenzimeve Personale për Konsum me 1.8% për vitin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.