Perspektiva ekonomike botërore – FMN ruan projeksionet në 3.9%, paralajmëron për luftën tregtare
Fondi Monetar Ndërkombëtar ruajti projeksionet për ekonominë globale të pandryshuara në këtë vit edhe tjetrin, por paralajmëroi për përshpejtimin e tensioneve tregtare, që mund të frenojnë rimëkëmbjen në të gjithë botën.
Në raportin “Perspektiva Ekonomike Botërore”, Fondi bëri të ditur se pret një rritje të ekonomisë prej 3.9% në këtë vit edhe tjetrin, normë e pandryshuar nga vlerësimet e muajit Prill. Fondi Monetar Ndërkombëtar uli projeksionet për rritjen e ekonomive të zhvilluara për 2018-ën në 2.4%, ndërsa për vitin e ardhshëm i la të pandryshuara në 2.2%.
Nga ana tjetër, rritja e ekonomive në zhvillim projektohet në 4.9% këtë vit dhe 5.1% në 2019-ën.
Raporti është publikuar pas vendosjes së tarifave nga administrata e Trump për çelikun dhe aluminin, që solli kundërpërgjigje të menjëhershme nga partnerët tregtar. Ekonomisti kryesor i fondit, Maurice Obstfeld, paralajmëroi se nëse konfliktet tregtare marrin vrull, do të ndikohen: besimi, çmimet e aktiveve dhe investimet në të gjithë botën. Ky është kërcënimi më i madh në afat-shkurtër ndaj rritjes ekonomike botërore.
“Shtetet e Bashkuara kanë nisur aksione tregtare që ndikojnë një grup vendesh dhe përballen me kundërpërgjigje nga Kina, Bashkimi Europian, partnerët e NAFTA dhe Japonia. Modelimi ynë tregon se nëse këto kërcënime kthehen në realitet, prodhimi në të gjithë botën do të jetë 0.5% poshtë projeksioneve aktuale deri në vitin 2020”, deklaron Fondi.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.