Perspektiva ekonomike për vitin 2021 / OKB: Rritje më e madhe, kryesisht prej rimëkëmbjes së SHBA
Ekonomia botërore pritet të rritet me 4.7% këtë vit, duke thyer projeksionet e mëparshme, falë rimëkëmbjes më të shpejtë në Shtetet e Bashkuara, sipas një raporti të Organizatës së Kombeve të Bashkuara. Rishikimi nga 4.3% që pritej në Shtator, vjen prej progresit në shpërndarjen e vaksinave dhe paketës gjigante të stimujve në SHBA, që do nxisin shpenzimet konsumatore.
Drejtori i globalizimit dhe strategjive të zhvillimit tek Organizata, Richard Kozul-Wright, tha se rritja e projeksioneve për ekonominë botërore vjen kryesisht prej Shteteve të Bashkuara. Megjithatë, pavarësisht këtij kontributi, përfshirë edhe rritjen e fortë në Kinë, ekonomia botërore do të jetë 5% poshtë nivelit të para pandemisë, sipas Nelson Barbosa, profesor i ekonomisë tek universiteti i Brasilias, bashkautor i raportit. Sipas vlerësimit, viti 2020 pari një rënie të prodhimit me 3.9%, ndërkohë që përhapja e koronavirusit solli masa të karantinës në të gjithë botën. Organizata theksoi gjithashtu në raport se ka pasur pabarazi në lidhje me shpërndarjen e vaksinave.
Klevis Llaha – SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.