Perspektiva europiane, Xhepa: Shqipëria duhet të fillojë sa më parë dialog me sipërmarrësit dhe grupet e interesit
Eksperti i ekonomisë, Selami Xhepa tha gjatë punimeve të “Tirana Economic Forum”, të organizuar nga “SCAN Media Group, se kjo është një iniciativë që vjen në një moment shumë të rëndësishëm dhe sinjifikativ, duke sjellë në vëmendje edhe punimet që po zhvillohen në “Forumin Davo-s.” Në intervistën e dhënë për gazetaren e SCAN, Violeta Shqalsi, Xhepa shtoi se debatet të cilat po zhvillohen sot në këtë forum krijojnë një vlerë të shtuar edhe për politikbërjen se ku mund të fokusohen më mirë. Sa i takon perspektivës europiane, Xhepa u shpreh se Shqipëria duhet të fillojë sa më parë dialogun me sipërmarrësit dhe grupet e interesit për të evidentuar edhe modalitetet më të mira, që e bëjnë edhe më të lehtë këtë proces, sipas tij.
Zoti Xhepa, si e shihni këtë forum ju? A është një hap i parë, një indice drejt të themi të atyre ideve të ekonomisë Ballkanike?
Së pari, dëshiroj ta komplimentoj Televizionin SCAN për këtë iniciativë. Vjen në një moment në fakt që është shumë i rëndësishëm dhe sinjifikativ sepse paralelisht po zhvillohet dhe ‘Forumi Davos-it’. Ndërkohë që atje po trajtohen problemet globale ne jemi të ndërgjegjshëm që çdo ekonomi ka gjithashtu problematikën e vet dhe gjithashtu ia vlen që të diskutohet.
Së dyti, moment i rëndësishëm është fakti që brenda një periudhe shumë të shkurtër, në javën e parë të muajit shkurt Komisioni Europian do të miratojë një dokument shumë të rëndësishëm që ka të bëjë me perspektivën europiane të vendeve të Ballkanit, ku të gjithë vendet ballkanike kanë pritshmëri të mëdha pozitive lidhur me të ardhmen europiane dhe me caktimin e një date kur Shqipëria më së fundmi do të bëhet pjesë e kësaj familje.
Kështu që, në këtë këndvështrim, mendoj që debatet që po zhvillohet sot krijon një vlerë të shtuar edhe për politikbërjen se ku mund të fokusohen më mirë. Sigurisht që axhenda e integrimit rajonal është prej kohësh tashmë në axhendën e politikave të rajonit tonë nga përfundimi i luftës në Kosovë që nga viti 2001, Bashkimi Europian e ka kërkuar këtë si një qasje filozofike të vendeve të rajonit tonë si një mënyrë për të shmangur të gjithë ato konflikte të mëpërparshme dhe për të kaluar si të thuash nga një periudhë e aventurave të përbashkëta drejt një epoke të re të sipërmarrjeve të përbashkëta. Dhe kjo besoj se është një nga gjërat më të mira për të patur një shoqëri jo vetëm me mirëqenie, por mbi të gjitha me paqe, me stabilitet të cilat janë rekuizitë më të mirë edhe për qytetarët tanë.
Zoti Xhepa, tashmë ekonomia shqiptare është e hapur drejt jo vetëm drejt tregjeve rajonale, por edhe atyre europiane. Ka sfida të mëdha. Sa e aftë është ekonomia shqiptare për t’u integruar në ekonominë rajonale kur çdo ditë e më shumë që nga Procesi I Berlinit dhe Takimi I Triestes po flitet për një ekonomi ballkanike tashmë, pra një zonë e lirë ekonomike?
Ne së pari duhet të kuptojmë që Rajoni I Ballkanit vazhdon të ketë ekonominë më të dobët në raport me ekonominë perëndimore. Kështu që në këtë këndvështrim, gjendja e konkurrueshmërisë tonë është problematike dhe besoj se kjo ka qenë arsyeja se pse Bashkimi Europian ka kërkuar në radhë të parë një integrim rajonal, sepse jemi ekonomi pak a shumë të krahasueshme nga pikëpamja e standardit, teknologjisë, organizimit, etj, dhe në këtë mënyrë kjo do të ishte një lloj ushtrimi që nëse kapërcehet me sukses, atëherë ekonomitë e vendit tonë mund të jenë të afta të përballen me konkurrencë akoma më të ashpër nga Bashkimit Europian. Tani, duke qenë se kjo është një sfidë, pa asnjë dyshim, nga ana tjetër kemi një sektor privat që vazhdon të jetë problematik dhe në këtë kuptim filozofia e integrimit europian nuk nënkupton automatikisht që qeveria të mos jetë e vëmendshme ndaj grupeve të interesit, sepse ky është një proces që kalon nëpërmjet negociatave. Ashtu sikurse Serbia do të negociojë për industritë e veta, Maqedonia, Kosova e kështu me radhë, edhe Shqipëria duhet të fillojë sa më parë një dialog me sipërmarrësit, grupet e interesit, me ata që ndikohen më shumë nga këto lloj procesesh në mënyrë që të shikohen se cilat mund të jenë modalitetet më të mira që ky proces të jetë me sa më pak dhimbje.
Por, nga ana tjetër kjo është edhe një sfidë e madhe sepse vetë sipërmarrësit privatë duhet të kuptojnë se ky proces e ka një fund, e ka një datë dhe në këtë kuptim ata duhet të ndërtojnë një axhendë të tyre si të përshtaten për të qenë të aftë për t’i bërë ballë atyre lloj presionesh. Nuk mundet, sepse ky është ushtrimi i parë. Mos harrojmë se perspektiva që ne kërkojmë është europiane, është Bashkimi Europian. Konkurrenca do të jetë shumë herë më e ashpër me Bashkimin Europian.
Gazetarja: Në fakt kjo është vetëm pengesa e parë drejt rajonit, e dyta na pret më e madhe.
Absolutisht, prandaj dhe thashë që ky është një ushtrim i lehtë përballë një ushtrimi shumë më të vështirë. Ne duhet të përgatitemi të kalojmë me sukses këtë provë që është le të themi një betejë më e lehtë, por beteja finale do të jetë me një treg shumë herë më kompetitiv, siç është Bashkimi Europian. Kjo është arsyeja se pse ne duhet të fokusohemi që të orientojmë edhe politikat edhe burimet tona ekonomike në ato sektorë ku Shqipëria mund të konkurrojë denjësisht jo vetëm në rajon, por gjithmonë duhet të shikojmë perspektivën europiane.
A duhet pra që qeveria të ndërhyjë të paktën me politika ekonomike sidomos drejt atyre prodhuese kryesisht, për të qenë edhe më afër apo të themi të denjë për të përballuar tregun e rajoni?
Gjithnjë e më shpesh ankesat nga sektorët e caktuar, nga industri të caktuara për konkurrencë të pandershme nga vendet e rajonit kanë qenë shumë prezente dhe fatkeqësisht unë nuk kam parë që të jem i sinqertë deri tani, një qasje serioze për të parë që në qoftë se fjala vjen, një nga industritë më të prekura ka qenë industria ushqimore dhe në agroindustri, në përgjithësi dhe industritë e ndryshme e kështu me radhë. Në qoftë se vendet e rajonit adoptojnë politika të subvencionit intensive të produkteve të tyre të cilat shiten në Shqipëri, kjo padyshim është një deformim I politikave të tregtisë së lirë dhe në këtë kuptim industria jonë ka të drejtë që të pretendojë që interesat e tyre nuk po mbahen në konsideratë nga politikat qeveritare.
Pra, këto duhen parë në mënyrën ad-hoc për secilin sektor. Qeveria nuk mund të jetë neutrale në raport me këto lloj shqetësimesh. Bëhet fjalë për miliona euro investime të kryera, për disa qindra apo mijëra vende pune dhe për më tepër për teknologji jashtëzakonisht të mira dhe në qoftë se burimi i konkurrencës apo i paaftësisë së sektorit tonë për t’i përballuar këto presione konkurrenciale vjen nga politika të deformuara të vendeve nga ne presim importet ose vendet që eksportojnë drejt Shqipërisë, atëherë këtu kemi të bëjmë me një problem të politikës dhe jo me një problem të industrisë.
Kështu që, nuk mund të kërkojmë që industria të zgjidhë problemet me të cilat politika duhet të merret më seriozisht. Prandaj dhe them që politika ka një përgjegjësi jashtëzakonisht të rëndësishme duke qenë se këto janë momente që një herë bëhen dhe nuk bëhen më. Pra, në momentin që ti nënshkruan, nuk ke më mundësi ta kthesh më firmën mbrapsht. Duhet që ky proces të jetë shumë serioz, t’i nënshtrohet analizave, ekspertizave nga grupet e ekspertëve, grupet e industrive në mënyrë që të bëjmë aq sa mundemi jo thjesht për të ndihmuar industrinë se na vjen keq se është industria jonë, por për të bërë atë që është e drejta. E drejta në emër të shoqërisë, e drejta në emër të përdorimit më me efektivitet apo me efiçencë të burimeve tona ekonomike.
Ne jemi në një forum ku themi “E ardhmja e Ballkanit” po a duhet që edhe ekspertët të jenë edhe më produktivë të themi, në thonjëza sepse ekspertët janë produktivë, port ë jenë më produktivë në dhënien e ideve, në nxjerrjen e problematikave port ë ofrojnë edhe zgjidhje për këto politika?
Të falënderoj shumë për pyetjen sepse është një pyetje që i përshtatet edhe profilit tim. Nuk ka asnjë dyshim që ne jetojmë në një epokë që është epoka e shoqërisë së dijes dhe konkurrenca sot nuk është vetëm në produkte bujqësore, në industri e kështu me radhë. Konkurrenca sot është në ide, në inovacion. Konkurrenca është në një fushë beteje ku dija është elementi thelbësor për të përcaktuar suksesin apo dështimin e një vendi. Kështu që në këtë kuptim, nuk ka asnjë dyshim që tregu i ideve, fjala vjen duhet të jetë një nga më thelbësoret që ne duhet ta fokusojmë gjithashtu vëmendjen.
Fatkeqësisht, në këtë pikë sërish Shqipëria është një vend që nuk ka treguar shumë, fjala vjen numri i patentave, numri I kërkimeve, aplikimeve që ne bëjmë në Komisionin Europian, numri i projekteve që ne kemi fituar, numri i botimeve shkencore që ka një jehonë globale që janë të renditura ën ato revistat prestigjioze të kërkimeve shkencore është shumë i ulët. Pra, ne kemi një punë jashtëzakonisht të madhe për të bërë edhe në këtë drejtim.
Ndërsa, nga ana tjetër, ato kapacitete intelektuale që janë në një vend, nuk ka arsye sepse të mos jenë pjesë aktive e këtyre proceseve dhe që politikëbërja të mos i angazhojë, sepse vetëm në këtë mënyrë unë mendoj se edhe vetë kapacitetet ekonomike, kërkimore, studiuesit aftësohen për t’u marrë me kërkime më rigoroze dhe për t’u marrë me ato kërkime që i shtojnë vlerë ekonomisë, i shtojnë vlerë politikë bërjes. Kanë një lloj utiliteti shumë herë më të lartë se sa kërkimet pioniere apo empirike të cilat shpeshherë lënë për të dëshiruar dhe për hir të së vërtetës nuk japin ndonjë vlerë të shtuar në shqetësimet dhe problematikat që përballon shoqëria e Shqipërisë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.