Përurohen ambientet e reja në pikën e kalimit kufitar të Morinës
Ditën e sotme, janë përuruar ambientet e reja të kalimit kufitar, një projekt i menaxhuar nga BE, që kushtoi afërsisht 1 milion euro.
Në këtë përurim, të pranishëm ishin zyrtarë të lartë të qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës, zyrtarë të policive dhe doganave si dhe ambasadorë të vendeve të BE-së të akredituar në Tiranë e Prishtinë.
Kjo pikë doganore vlerësohet se është në përputhje me standardet e Shengenit dhe do të ketë efekt përmirësues në menaxhimin e kufijve të Shqipërisë në përputhje me kërkesat e BE-së.
Gjithashtu, janë modernizuar pajisjet dhe ambientet në funksion të lehtësimit të kalimit të shtetasve në të dy anët e kufirit, ndërkohë që janë plotësuar ambientet e punës për autoritetet përgjegjëse për menaxhimin e kufirit, migracionit, doganat, kontrollet veterinare dhe fitosanitare.
Këto ndryshime do të lehtësojnë edhe transportin e mallrave në këtë pikë kalimi të kufirit, pasi mjetet do të procesohen në një pikë të vetme të përbashkët.
Në këto objekte do të akomodohen specifikisht administrata e Doganës Shqiptare dhe asaj të Kosovës si dhe Policia Shqiptare dhe ajo e Kosovës.
Posted by Ministria e Brendshme on Tuesday, July 24, 2018
Këtij financimi i është shtuar edhe financimi i Qeverisë shqiptare, nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Doganave për ndërtimin e Terminalit të autobusëve, Godina e inspektimit (kontrolli i vijës së dytë), Godina e Inceneratorit (për mallrat e ndaluara nga AKU) dhe Punime të jashtme duke kompletuar kështu projektin e plotë të Pikës së Kalimi Kufitar.
Nga të dhënat e raportuara rezulton se pas vënies në punë të ambienteve të reja, vetëm gjatë ditës së sotme kanë qarkulluar në të dy anët rreth 35 mijë shtetas.
m.l/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.