Përurohet këndi i 18-të i lojërave – Veliaj: Do të bëjmë edhe 11 kënde të tjera
Bashkia e Tiranës është e fokusuar të transformojë kryeqytetin përmes investimeve të vazhdueshme . Kështu ka deklaruar kreu i bashkisë Erion Veliaj, gjatë përurimit të këndit të ri të lojërave pranë njësisë nr. 5 në rrugën “Sulejman Delvina”.
Këndi i lojërave i rrethuar nga një shesh të ri rekreativ është i 18 i ndërtuar gjatë këtyre dy viteve nga bashkia e Tiranës.
Veliaj i kërkoi prej të gjithë qytetarëve që të kujdesen për veprat publike të cilat janë në të mirë të komunitetit. Ai garantoi se Bashkia e Tiranës do të vijojë këtë vit me ndërtimin e 11 këndeve të reja në zona të ndryshme të kryeqytetit, duke krijuar më shumë hapësira për të vegjlit.
Veliaj u ndal dhe te çështja e furnizimit me ujë të pijshëm të kryeqytetit. Kryebashkiaku u kërkoi qytetarëve që të tregohen të kujdesshëm në përdorimin e ujit të pijshëm në këtë situatë jo të lehtë duke shtuar se Bashkia e Tiranës është e vendosur të marrë të gjitha masat e nevojshme për të disiplinuar përdorimin e ujit të pijshëm dhe për prerjen e lidhjeve të paligjshme.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.