Përzierja e vaksinave kundër Covid-19: Cilat janë rezultatet paraprake?!

Vaksinimi i përzier me një dozë të vaksinës Pfizer dhe një të AstraZeneca rrit frekuencën e reaksioneve të lehta ose të moderuara, megjithëse jo të forta. Një dozë e një vaksine dhe tjetra e një vaksine: a mund të funksionojë? Me çfarë pasojash në sistemin imunitar? Dhe si ndryshojnë efektet anësore? Studimi Com-COV i filluar disa muaj më parë nga Universiteti i Oksfordit po përpiqet t’u përgjigjet këtyre pyetjeve.
Studimi, fillimisht i nxitur nga mungesa e dozave në dispozicion, synon të rrisë fleksibilitetin e fushatave të vaksinimit dhe është kthyer në krye pas zgjedhjes së disa vendeve europiane për të vaksinuar ata që kishin marrë një dozë të parë të AstraZeneca me Pfizer. Rezultatet paraprake të botuara në revistën Lancet sqarojnë një aspekt të parë të strategjisë së përzier të vaksinimit: atë të reaksioneve anësore.
Në pjesën e parë të studimit, 830 vullnetarëve mbi moshën 50 vjeç u janë dhënë dy doza të vaksinës anti-covid, njëra e Pfizer-BioNTech dhe një e Oxford-AstraZeneca, me katër javë diferencë dhe në dy opsione të mundshme (e para Pfizer ose para AstraZeneca). Të dy strategjitë e përziera të vaksinimit nxisnin reaksione anësore më të shpeshta të lehta ose të moderuara pas dozës përforcuese sesa ato që ndodhin zakonisht. Sidoqoftë, këto efekte anësore janë zgjidhur gjithmonë në një kohë të shkurtër dhe nuk kanë paraqitur kurrë ndonjë problem për sigurinë e pacientëve.
Për momentin, studimi nuk ofron ndonjë informacion mbi ndikimin e vaksinimit të përzier në sistemin imunitar: këto të dhëna priten në muajt e ardhshëm. “Ndërsa kjo është një pjesë e vogël e asaj që ne po përpiqemi të eksplorojmë në këto studime, është e rëndësishme të informojmë publikun në lidhje me këto të dhëna, veçanërisht pasi dozat e përziera aktualisht po konsiderohen në disa vende,” shpjegon Mattheë Snape, Profesor i Asociuar i Pediatrisë dhe vaksinologjia në Universitetin e Oksfordit.
“Gjetjet sugjerojnë që vaksinimi i përzier mund të rezultojë në rritje të mungesave nga puna një ditë pas imunizimit, një fakt i rëndësishëm për t’u marrë parasysh kur planifikoni vaksinat e punonjësve të kujdesit shëndetësor.” Sidoqoftë, shenja më qetësuese është se nuk ka shqetësime shëndetësore për ata që vaksinohen në këtë mënyrë.
Rezultatet janë për pjesëmarrësit e moshës 50 vjeç e lart, dhe është e mundur që ky lloj reagimi të shfaqet edhe më shpesh tek të rinjtë. Prillin e kaluar, studimi Com-Cov u shtri për të përfshirë vaksinat Moderna dhe Novavax në këtë lloj prove (prova quhet Com-Cov2). Objektivat janë të demonstrojnë se kombinimi i dy dozave të dy vaksinave të ndryshme nuk ka një efekt më të keq se vaksinimi standard, dhe së dyti për të krahasuar përgjigjet imune të marra në lidhje me ato që dolën në provat “tradicionale”. (Focus)
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.