Petromanas largohet nga Shqipëria – Kompania e naftës hap procedurën e likuidimit

Kompania ndërkombëtare e kërkimit të naftës Petromanas Energy ka mbyllur përfundimisht degën e saj në Shqipëri. Më 12 qershor, Petromanas Albania ka depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit kërkesën zyrtare për likuidimin e zyrës në Shqipëri.
Përmes dokumentit, kompania njofton kreditorët për likuidimin e kompanisë dhe i fton për depozitimin e pretendimeve të mundshme. Në marsin e vitit të shkuar Petromanas Albania i shiti asetet e saj për 45 milionë dollarë tek gjigantja e hidrokarbureve SHELL, pas rezultateve pozitive të testit të pusit Shpiragu-2.
Deri në atë kohë, Petromanas zotëronte 75% të aksioneve të kërkimit, ndërsa SHELL 25%. Ky zbulim, i ardhur pas katër viteve shpime, ngjalli interesin e shumë kompanive për të eksploruar për naftë në Shqipëri, gjë që solli edhe blerjen e të gjithë aksioneve të kërkimit nga ana e SHELL. Likuidimi i degës shqiptare të shoqërisë Petromanas vjen pasi ajo i shiti marsin e shkuar asetet tek gjigantja SHELL për 45 milionë dollarë
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.