“Pezull” 17 mijë biznese – 108 mijë kompani kanë shpallur statusin pasiv në QKR
Në harkun kohor të një viti, lista e bizneseve që kanë pezulluar aktivitetin është shtuar me rreth 17 mijë subjekte të reja.
Sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, në prill të këtij viti, lista me bizneset që kanë shpallur statusin pasiv numëron 108 mijë subjekte, ndërkohë që në të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i tyre arrinte në 91 mijë.
Shtimi i numrit të bizneseve që pezullojnë aktivitetin u paralajmërua nga ekspertë e shoqata të ndryshme që në fazat e hershme të fushatës kundër informalitetit të zhvilluar gjatë dy viteve të shkuar. Kjo pasi informaliteti u bënte të mundur veçanërisht bizneseve të vogla mbijetesën, falë mungesës së kostove për pagesat e taksave e të sigurimeve.
Lista e bizneseve që kanë vendosur të pezullojnë aktivitetin dominohet pikërisht nga bizneset e vogla, të cilat dy vitet e fundit janë përballur me rritjen e kostove kryesisht për shkak të formalizimit të ekonomisë.
Shkaqe të tjera të pezullimit të aktivitetit lidhen edhe me largimin nga Shqipëria për qëllime emigracioni, daljen në pension, apo ristrukturimin e shoqërive, veçanërisht në rastin e kompanive të mesme apo të mëdha.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.