Pezull ish-Ministria e Integrimit – Vëzhgimi/Një pjesë e godinës i jepet KLSH, punonjësit pa përgjigje
Reduktimi i numrit të institucioneve qendrore të Qeverisë Rama 2 ka lënë tërësisht pezull ish Ministrinë e Integrimit. Përveç se nuk dinë ende asgjë për fatin e drejtorive të saj në të ardhmen, punonjësit janë detyruar të lirojnë edhe një pjesë të mirë të zyrave duke u grumbulluar në dy kate të godinës.
Shkak është bërë një vendim i Qeverisë, e cila më 20 shtator ka vendosur që një pjesë e mirë e ambienteve të ish Ministrisë së Integrimit t’i jepet Kontrollit të Lartë të Shtetit. Ndërkohë që ambientet e KLSH i kanë kaluar Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që do bëjë rivlerësimin e gjyqtarëve dhe prokurorëve, një prej Komisioneve më të rëndësishme të Vetting-ut.
Të pyetur nga TV Scan, punonjësit e ish Ministrisë së Integrimit kanë thënë se janë grumbulluar në dy kate të godinës deri në një urdhër për fatin e mëtejshëm të institucionit.
Ata shpjeguan gjithashtu se nuk u është dhënë ende asnjë shpjegim për marrëdhëniet e mëtejshme të punës pas shkrirjes së Ministrisë.
Informacioni i vetëm është një shkresë zyrtare përmes së cilës vihen në dijeni se institucioni i tyre është në proces ristrukturimi dhe se do njihen me vendimin përfundimtar deri më 15 tetor.
Ish Ministria e Integrimit është një prej institucioneve që u shkri tërësisht me ristrukturimin e Qeverisë. Funksioni i saj në vijim do të kryhet nga një Drejtori në varësi të Ministrisë për Evropën dhe Punët e Jashtme.
Lorenc Rabeta/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.