Pezullohen shpalljet e reja për 15 ditë, APP shpjegon se si duhet të veprohet me tenderët që janë në proces
Në kuadër të planit të masave të ndërmarra për parandalimin e sëmundjes infektive COVID-19, marrë shkas edhe nga situata në të cilën ndodhet vendi ynë, Agjencia e Prokurimit Publik njofton të gjithë autoritetet kontraktore dhe operatorët ekonomikë pezullimin e shpalljes së procedurave të reja prokurimi, për një afat 15 ditor.
“Për procedurat e prokurimit që janë në proces, pra ato që janë të shpallura nga autoritetet kontraktore apo janë në proces vlerësimi, të shtyhen si afati i dorëzimit të ofertave ashtu dhe afati i vlerësimit të tyre me 15 ditë, duke nisur nga data 12.03.2020. Autoritetet kontraktore të pezullojnë zbatimin e kontratave të nënshkruara për mallra, punë, shërbime, për një afat 15 ditor, duke nisur nga data 12.03.2020”njofton Agjencia e Prokurimeve Publike.
Bëjnë përjashtim nga zbatimi i këtij Njoftimi procedurat e prokurimit që vlerësohen si emergjente apo të domosdoshme nga autoritetet kontraktore, si dhe zbatimi i kontratave që vlerësohen të domosdoshme për shkak të objektit të tyre, të cilat mund të vijojnë normalisht, për sa është e mundur.
Gjithashtu, në rast se autoritetet kontraktor vlerësojnë se, procedurat e prokurimit të shpallura janë të domosdoshme për të mbuluar nevojat e tyre në situatën e krijuar, atëherë mund të vazhdojnë, për sa është e mundur hapjen dhe vlerësimin e ofertave, pa qenë e nevojshme të shtyjnë afatin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.