PharmaCann planifikon listimin në bursë – Legalizimi i kanabisit rekreativ në New York rrit kërkesën
PharmaCann, një nga 10 firmat kryesore të licensuara të kanabisit në New York, ka aplikuar për një ofertë publike fillestare, që mund ta vlerësojë mbi 1 miliardë dollarë. Oferta fillestare e planifikuar mund të ndihmojë kompaninë që të gjenerojë fonde përpara se shteti i New Yorkut të nisë shitjet rekreative të kanabisit, në vitin e ardhshëm.
Sipas burimeve për Reuters, oferta publike fillestare mund të ndodhë këtë Vjeshtë. PharmaCann, që operon në 5 shtete të tjera amerikane, me shumë gjasa do të synojë listim të dyfishtë të aksioneve tek Bursa e Kanadasë dhe për tregtim dytësor apo mbi banak, në Shtetet e Bashkuara. PharmaCann ka kontaktuar bankën e investimeve kanadeze, Canaçord Genuity për ofertën. Kjo e fundit pritet të jetë nënshkruesja kryesore, ndërkohë që më shumë banka pritet të punësohen më vonë, sipas burimeve.
New Yorku u bë në muajin Mars shteti i 16 amerikan që legalizon shitjen rekreative të marihuanës, duke nisur një garë për kompanitë që të sigurojnë një pjesë në tregun që pritet të jetë nga më të mëdhenjtë në botë. Rivali kanadez, Cronos Group, mori një zotërim prej 10.5% tëk PharmaCann për 110.4 milionë dollarë në Qershor.
Marrëveshja e vlerësoi kompaninë në 1.1 miliardë dollarë dhe oferta publike fillestare do të përfaqësojë me shumë gjasa një vlerësim më të lartë. Pavarësisht rritjes së legalizimit në nivel shtetëror të marihuanës, qëndron ende e jashtëligjshme në nivel federal, dhe kompani si PharmaCann, që rrisin apo shesin bimën, janë të ndaluara për t’u listuar në Nasdaq dhe bursën e New Yorkut (NYSE).
Klevis Llaha/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.