Pikë e re UKT në Sauk – Veliaj: Shmangen radhët për qytetarët, cilësi në shërbim

Një pikë e re Rajonale e shërbimeve të Ujësjellës Kanalizime Tiranë është hapur në Sauk, duke iu ardhur në ndihmë të gjithë banorëve në zonat periferike për të kryer veprime dhe duke shmangur kështu radhët në pikat ekzistuese.
Kryebashkiaku Erion Veliaj u shpreh se ky investim është një risi për banorët.
“Kjo është një pikë shërbimesh, e cila tregon se ne kujdesemi për çdo pikë uji në këtë qytet. Shërbimi që ofrohet këtu nga UKT-ja është i njëjtën me atë që ofron një kompani celulare apo një degë e bankës. Dega e UKT-së në Sauk ka disa të mira: së pari, i shërben një komuniteti banorësh që fillon nga Njësia nr. 2 dhe mbaron në kilometrin e 29-të në Krrabë. Pasi kemi ofruar infrastrukturë më të mirë, është e rëndësishme të ofrojmë edhe shërbime dinjitoze. Sot Krraba ka një rrugë të re, pra vjen më shpejt në Tiranë; po ashtu edhe Farka, Bërzhita Baldushku kanë rrugë të reja dhe qytetarët vijnë më shpejt në Tiranë. Por nuk ka sens që ky komunitet të vijë deri në drejtorinë e përgjithshme të UKT për të sqaruar çdo problem, ndërrim emri apo për të kryer një pagesë. Të gjitha këto shërbime mund t’i marrin këtu në Sauk”, u shpreh kryebashkiaku.
Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të tregohen korrekt me pagesat ndaj faturave të ujit të pijshëm, në mënyrë që të ardhurat të shkojnë për investime në rrjetin e ujësjellës-kanalizimeve. Si dhe kërkoi denoncimin e të gjitha rasteve abuzive.
“Ftoj qytetarët të raportojnë për gjitha ndërhyrjet që bëhen në rrjet dhe inkurajoj UKT, që siç i merr në mënyrë të rregullt këto pagesa, të vijojë me marshin e pestë me investimet. Kemi hapur 105 kantiere, më i madhi është në burimin e Shën Mërisë. Mezi presim që pasi janë bërë tunelet, po shtrohen tubacionet, të kemi shtesën e ujit në Tiranë që do të vijë nga ajo zonë”, tha Veliaj.
Pika Rajonale e UKT-së është e dyta pas asaj që u hap para disa javësh në Njësinë nr.1, ndërsa do të vijohet me hapjen e pikave të reja në zonat ku fluksi i qytetarëve që marrin shërbime është më i lartë.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.