Pikëpyetje mbi energjinë e rinovueshme – Komuniteti i Energjisë: Objektivi 38%, vështirë për t’u arritur
Sekretariati i Komunitetit të Energjisë është skeptik mbi arritjen e objektivit të Shqipërisë në drejtim të përdorimit t të energjisë nga burime të rinovueshme. Sipas planit, deri në fund të vitit 2020 përdorimi i kësaj energjie duhet të arrijë në masën 38%, por sipas të dhënave të paraqitura nga Sekretariati në Grupin e Koordinimit të Energjisë së Rinovueshme në 12 nëntor, arritja e tij vihet në pikëpyetje.
Shkak për këtë sipas Sekretariatit është ndikimi i hidrologjisë, investimet e ulta në energjinë e rinovueshme si dhe rritja e konsumit energjisë. Gjithashtu, parashikimi është më negativ në drejtim të arritjes së objektivit prej 10 për qind për sektorin e transportit.
“Asnjë Palë Kontraktuese nuk do të përmbushë objektivin, me aksionet e deritanishme”,-thotë Sekretariati. Ky vlerësim vjen pas projektligjit të ri të paraqitur nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, i cili parashikon se duke filluar nga viti 2020, 10% e sasisë së karburanteve të konsumuara për transport në vendin tonë duhet të përbëhet nga biokarburantet.
Projektligji ka nisur të diskutohet në Kuvend, ndërsa shfuqizon tërësisht ligjin aktual “Për prodhimin, transportimin dhe tregtimin e biokarburanteve dhe të lëndëve të tjera djegëse, të rinovueshme, për transport”, që ndonëse është miratuar në vitin 2008, nuk ka arritur të gjejë zbatim.
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.