Pirateria e të drejtave televizive – Policia arreston 3 persona dhe sekuestron pajisje kompjuterike e aparate celulare
Seksioni për Krimin Ekonomik dhe Financiar, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka finalizuar operacionin e koduar “Pirateria” në kuadër të këtij operacioni u bë arrestimi i shtetasve E. D., 23 vjeç, J. S., 24 vjeç dhe T. K., 27 vjeç, të tre banues në Tiranë.
Sipas njoftimit të Policisë së Shtetit këta shtetas kanë piratuar platforma dixhitale, në dëm të disa kompanive, duke piratuar të drejtat televizive të këtyre platformave në mënyrë të paligjshme. Ky piratim është bërë nëpërmjet aparateve Dreambox, Androidbox, Set Top Box etj. “Hakërimi i tyre është bërë nëpërmjet pajisjeve të sofistikuara që mundësojnë transmetimin e sinjaleve televizive. Pagesat ndaj këtyre shtetasve bëheshin në formë cash, nëpërmjet llogarive bankare nga bankat e nivelet të dytë dhe nëpërmjet kartave të kreditit Paypal.”
Sipas Policisë në cilësinë e provës u sekuestruan katër njësi kompjuterike të cilat shërbenin për piratimin e këtyre platformave, 6 aparate celular të markave të ndryshme, 14 Dreambox, Androidbox, Set Top Box dhe një automjet.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, në ngarkim të shtetasve E. D., J. S. dhe T. K., për veprat penale të “Shkelja e të drejtave të pronësisë industriale dhe intelektuale”, “Fshehja e të ardhurave” dhe “Mospagimi i taksave dhe tatimeve”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.