Piro Xhixho lirohet nga detyra – Këshilli i Ministrave i propozon kuvendit shkarkimin e kreut të AKEP

Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e të premtes t’i propozojë Kuvendit të Shqipërisë lirimin nga detyra të Kryetarit të Këshillit Drejtues të Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, Piro Xhixho.
Piro Xhixho ka drejtuar Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare që nga nëntori i vitit 2009, me një ndërprerje të shkurtër gjatë vitit 2013. Mandati i zotit Xhixho në këshillin Drejtues të AKEP përfundonte në vitin 2019, megjithatë, largimi i tij ishte i pritshëm, sepse ai është propozuar në detyrë nga Lëvizja Socialiste për Integrim, forcë politike që tashmë është në opozitë.
Anëtarët e Këshillit Drejtues të AKEP nuk mund të shkarkohen nga detyra pa një shkak të arsyeshëm dhe rastet kur ata mund të largohen janë të përcaktuara në ligj.
Megjithatë, propozimi i Këshillit të Ministrave nuk përmend asnjë shkak që të motivojë kërkesën për lirim nga detyra.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.