Plan i përbashkët për ruajtjen e gazit – Italia i kërkon BE-së të fillojë punën tani
Italia i ka kërkuar Bashkimit Europian që të fillojë punën menjëherë për një plan për të krijuar një sistem të përbashkët magazinimi për rezervat strategjike të gazit, deklaroi kryeministri Mario Draghi. Sipas tij, Brukseli duhet të hartojë një inventar të rezervave të gazit që janë të disponueshme sot në të gjithë bllokun.
“Për energjinë, Italia nënvizoi nevojën për të ndërhyrë menjëherë në nivel europian,” tha Draghi.
Çmimet e gazit në Europë janë rritur javët e fundit për shkak të furnizimit të pakët, ndërsa ekonomitë po dalin gradualisht nga pandemia. Kjo ka bërë që disa shtete anëtare të kërkojnë një përgjigje nga BE, me Spanjën, Italinë dhe Greqinë që propozojnë një sistem të ri të blerjes së përbashkët të gazit midis vendeve anëtare të bllokut për të krijuar rezerva strategjike.
Draghi tha se Brukseli kishte dalë me një sërë propozimesh të mira që variojnë nga ndihma e familjeve më të varfra deri te zhvillimi i ndërlidhjes midis shteteve anëtare dhe integrimi i tregjeve dhe magazinimit të gazit.
Rritja e çmimeve të gazit dhe energjisë ka ndezur tensionet midis vendeve të BE-së mbi tranzicionin e energjisë, me disa krerë shtetesh që thonë se politikat e reja të gjelbërta mund të rrisin faturat e konsumatorëve.
Draghi, i cili tha se çështja e energjisë bërthamore ishte diskutuar në samit, deklaroi se ishte e vështirë të heqësh dorë nga përdorimi i gazit në periudhë afat-shkurtër. Europa është shumë e varur nga gazi për të prodhuar energjinë e saj elektrike.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.