Planet e qeverisë për rrugët, portet dhe aeroportet – Rama rikthen aksin Milot-Fier: Do nisim punën, nuk presim BE-në
Në Programin Qeverisës të depozituar në Kuvend nuk përmendet në asnjë rresht, por ndërtimi i “korridorit blu”, sipas kryeministrit Edi Rama do të jetë investimi më i rëndësishëm gjatë këtij 4-vjeçari qeverisës. Gjatë prezantimit të programit përpara deputetëve, Rama tha se nuk do të presin më financimin nga Bashkimi Evropian për këtë vepër infrastrukturore rrugore.
Kjo nuk do të jetë përpjekja e parë e qeverisë për ndërtimin e këtij aksi rrugor. Kjo pasi, në korrikun e vitit të kaluar u hap gara për aksin Milot-Fier, por ajo nuk u finalizua me sukses, pasi një ofertë e mbërritur u konsiderua e pavlefshme, në një kohë që opozita denonconte vazhdimit kostot e fryra. Ndërkaq, duke marrë në konsideratë edhe dokumentin e programit qeverisës, ky do të jetë investimi i vetëm i ri rrugor në këtë mandat. Ndërkohë që, sa i takon projekteve të tjerë parashikohet përfundimi i rrugës së Arbrit brenda këtij viti dhe i aksit Kardhiq-Delvinë në maj të vitit 2020. Ndërkaq, Rama foli edhe për projektet në infrastrukturën portuale.
Rama shpreson që brenda këtij viti të nisin edhe punimet për ndërtimin e Aeroportit të Vlorës.
Ndërkaq, sipas dokumentit të Programit brenda vitit parashikohet të nisin edhe punimet për Hekurudhën Tiranë-Rinas-Durrës.
Ola Mitre /SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.