Planet për Fondin Monetar Europian, Regling: Të kontrollohet nga vendet anëtare, i pavarur nga Komisioni

Kreu i Mekanizmit Europian të Stabilitetit, Klaus Regling, tha se Fondi Monetar Europian që planifikohet të zëvendësojë fondin e shpëtimit të Eurozonës, duhet të kontrollohet nga vendet anëtare dhe të jetë i pavarur nga Komisioni.
Komisioni Europian kërkon që Mekanizmi Europian i Stabilitetit të kthehet në një institucion të Bashkimit Europian, të drejtuar në bazë të një traktati të veçantë të nënshkruar nga vendet e Eurozonës.
Regling tha se Mekanizmi Europian i Stabilitetit duhet të jetë një organ ndërqeveritar i kontrolluar nga vendet anëtare.
“Do të ishte diçka pozitive që ESM të përfshihet në traktatin e Bashkimit Europian. Megjithatë, plani i propozuar nga Komisioni është shumë ambicioz. ESM duhet të ketë një rol të ngjashëm me Bankën Europiane të Investimeve, që është relativisht e pavarur nga komisioni dhe e kontrolluar kryesisht nga vendet anëtare”, tha Regling.
Marrëveshje të tilla për Mekanizmin Europian të Stabilitetit janë të arritshme nëpërmjet modifikimeve të traktatit të BE, që sipas tij nuk ka gjasa të ndodhë në vitet e ardhshme.
Komisioni shfaqi vitin e kaluar disa propozime mbi integrimin e mëtejshëm të Eurozonës, që synojnë forcimin e bllokut përballë krizave të ardhshme. Këtu përfshihej transformimi i plotë i ESM në një Fond Monetar Europian.
Detyra aktuale e ESM është dhënia e huave drejt qeverive që kanë humbur akses në tregje, në këmbim për reforma që synojnë rikthimin e ekonomive në stabilitet. Fondi ka shpëtuar Greqinë, Irlandën, Portugalinë, Spanjën dhe Qipron në vitet e fundit.
Fondi Monetar Europian, sipas propozimeve, do të mund të marrë vendime me shumicë vote dhe jo me unanimitet. Fondi do të mund të zhvillojë gjithashtu instrumente të reja financiare që do të nevojiten për të dhënë suport të mëtejshëm ndaj shteteve që pësojnë goditje financiare.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.