Plani i Bashkisë për çerdhet e kopshtet –Do të merren godina me qira për t’i përshtatur më pas

Kryetari i Bashkisë së Tiranës ishte i pranishëm sot së bashku me Ministrin Pandeli Majko dhe Ambasadorin e Turqisë, Hidayet Bayraktar, në hapjen e çerdhes së re në “Komunën e Parisit”. Veliaj zbuloi gjatë kësaj vizite edhe planin e Bashkisë për të shtuar numrin e çerdheve në kryeqytet.
Sipas tij, krahas ndërtimit të çerdheve e kopshteve të reja, po konsiderohet mundësia e marrjes me qira të hapësirave të tjera, të cilat do të zbusin kërkesat e larta për këtë shërbim nga ana e prindërve.
“Ka disa lajme të mira, së pari, sigurisht hapja e një çerdhe të re. Kësaj here me një metodë pak më të shpejtë se sa investimi me llaç dhe tulla që edhe për efekt tenderimi dhe për efekt projektimi, merr kohë. Kemi filluar të shohim në qytet nëse mund të marrim direkt me qira godina që tashmë janë të përshtatura si shtëpi të mëdha për t’u transformuar pastaj në çerdhe 2 ose 3-katëshe. Do të vazhdojmë një proces kërkimi në të gjithë qytetin për të kuptuar zonat ku kemi kërkesën më të lartë për ndërtesa të ngjashme që me pak punë mund të konvertohen në çerdhe ose kopshte”, deklaroi Veliaj.
Një opsion tjetër për shtimin e kopshteve, është edhe integrimi i tyre brenda shkollave të reja që do të ndërtohen.
“Në të gjithë shkollat e reja që do të ndërtojmë me projektin e 16 shkollave, do të kemi edhe arsimin parashkollor. Pra një pjesë e shkollës do të ndahet veç, kryesisht për çerdhe dhe për kopsht dhe pastaj i gjithë cikli vërtet ndodh brenda një godine, por me trajtim të veçantë dhe me kategori të veçanta. Kështu që brenda vitit tjetër, Tiranës do t’i shtohen mbi 10 çerdhe dhe kopshte të rinj brenda territoreve të shkollave të reja, pra kampuseve të rinj arsimorë”, shtoi Veliaj.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.