Plani i miliarderëve të Lego për të hequr dorë nga plastika, me kosto të panjohur
Shefi ekzekutiv i Lego, një prej kompanive më të mëdha në botë për prodhimin e lodrave, shprehet se plani për të hequr dorë nga plastika vjen me një kosto financiare të panjohur.
Pas këtij plani qëndron familja miliardere daneze e Kirk Kristiansen, e cila kërkon që tullat Lego të prodhohen nga materiale të riciklueshme si kallami i sheqerit. Ndryshimi u prezantua në Mars, si përpjekje për të luftuar ndotje nga plastika dhe ndotjen e detrave në veçanti.
Aktualisht, kompania ka nisur të ofrojë koleksione Lego me bazë bimore si dhuratë për blerjen e seteve më të mëdha. Por deri në vitin 2030, i gjithë prodhimi i kompanisë daneze duhet të bëhet me materiale të tilla, pa ditur se sa do të kushtojë.
“Është e vështirë të thuhet. Nuk jam i sigurt as nëse mund të arrijmë cilësinë që duam. Por është një plan që duam ta zbatojmë dhe pas këtij plani mbështeten dhe pronarët. Ne duam të bëhemi lider në këtë gjë”, deklaroi shefi ekzekutv Niels Christiansen.
Sipas Christiansen, ndryshimi mund të dëmtojë ndjeshëm marzhin e fitimit, por ai shprehet se kompania nuk është e gatshme të heqë dorë nga cilësia. Kostoja për prodhimin e tullave të reja Lego mund të kalojë tek konsumatorët përmes një rritjeje të çmimit të lodrave.
Ndërkohë, kompania po sheh mundësi të tjera për të diversifikuar biznesin, duke sjellë lodrat në forma dixhitale, pasi fëmijët e sotëm shpenzojnë më shumë kohë në ekranet e televizorëve apo celularëve se sa duke ndërtuar struktura me Lego.
Ditën e martë, Lego raportoi një rënie në të ardhurat dhe fitimin e gjysmës së parë të vitit. Megjithatë, sipas kompanisë, kjo vjen si pasojë e zhvlerësimit të dollarit, pasi duke përshtatur ndryshimet e valutave, të ardhurat e kompanisë do të ishin në rritje.
A.H./SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.