Plani i PD-së për bujqësinë, Basha: 150 milionë euro që në vitin e parë. Politikë protektive për fermerin shqiptar

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka premtuar një përmbysje të politikës aktuale në bujqësi. Sipas Bashës Shqipëria në këto katër vite nuk ka investuar në bujqësi, duke ulur ndjeshëm subvencionet në këtë sektor.
Sipas Bashës ato pak para të subvencioneve të kësaj qeverie në bujqësi kanë përfunduar në skema korruptive.
Duke folur në një takim me shoqatat e biznesit, lideri i PD-së prezantoi planin e tij për rimëkëmbjen e bujqësisë dhe fermerit shqiptar.
“Plani ynë është të kthejmë një skemë të fuqishme subvencionesh. Që në vitin e parë të qeverisjes do të caktojmë 1.5% të Prodhimit të Brendshëm Bruto për bujqësinë, pra 150 milionë euro. Nga këto 100 milionë euro do të shkojnë direkt në peshkim, bletari, etj. Ndërsa 50 milionë do të investohen në infrastrukturë: rrugë aksesi, krijim dhe lidhje me tregjet, kanale vaditëse, rrjet elektrik”, u shpreh Basha.
Sipas Bashës, fermerëve shqiptarë do u garantohet konkurrenca e barabartë në treg, duke zbatuar një politikë protektive.
“Produktet e fermerit shqiptar sot kanë një kosto më të lartë prodhimi, sepse nafta, energjia janë më të shtrenjta se në çdo vend të rajonit. Produktet e fermerëve europianë që subvencionohen nga BE hyjnë me tarifa të ulëta ose zero dhe shkatërrojnë konkurrencën e produkteve vendase në treg. Kjo spirale duhet ndalur menjëherë. Nuk do të lejojmë produktet e subvencionuara të BE-së të shtypin fermerin shqiptar. Përveç Kosovës, çdo treg tjetër do të përballet me tarifa proporcionale. Fermeri shqiptar i pari”, tha Lulzim Basha.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.