Plani i ri – Italia “gjueti” evazorëve, synohen të rikuperohen 6 mld euro

Qeveria italiane ka vendosur të hapë sezonin e “gjuetisë” ndaj evazorëve. Përllogariten se janë rreth 6000 të tillë, dhe vlera që mund të rikuperohet projektohet në rreth 6 miliardë euro.
Kjo përfshihet në dokumentin e ri të ekonomisë dhe financave që do të prezantohet muajin e ardhshëm. Lufta ndaj evazionit mund të çojë edhe në një rritje të projeksioneve për rritjen ekonomike.
Evazioni me tatimin mbi vlerën e shtuar përkthehet në një humbje prej rreth 40 miliardë euro në vit në Itali. Ministri italian i ekonomisë, Pier Carlo Padoan deklaroi se, duhen bashkuar të gjitha forcat për këtë luftë të re, sidomos në drejtim të evazionit me TVSH.
Në fokus do të vendosen mashtrimet ndërkombëtare, pra evazorët e mëdhenj, por edhe kontribuesit. Gjuetia do të fillojë me verifikime në rreth 3000 subjekte të ndryshme të tatueshme.
Një vëmendje e veçantë do t`i jepet atyre që figurojnë me llogari bankare jashtë vendit, sidomos në Zvicër, Monaco dhe Lichtenchtein.
Pjesë e aksionit do të jetë edhe lufta ndaj atyre që deklarojnë rezidencë të rreme, sidomos në Londër, ku është në funksion një regjim të favorshëm fiskal.
Evazioni fiskal në tërësi, pra jo vetëm ai me TVSH, i kushton arkave të shtetit rreth 110 miliardë Euro në vit.
Roel Korkuti/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.