Plani i ristrukturimit i NBG – Reuters: Do të shesë operacionet në Shqipëri, Rumani, Serbi, Qipro

Banka e dytë më e madhe e Greqisë, NBG, do të shesë më shumë asete në Ballkan, përfshirë operacionet në Rumani, për të përfunduar planin e ristrukturimit të rënë dakord me autoritetet europiane, tha kreu ekzekutiv i huadhënësit për Reuters.
“Jemi pranë lajmërimit të blerësit për Banca Romaneasca. Shitja do të përfundojë në muajt që vijnë. Kjo do të sjellë fuqizim të kapitali dhe do të përmirësojë pozitën e likuiditetit.”, tha Leonidas Fragiadakis në një intervistë me Reuters.
Ndër këshilluesit për shitjen ka shërbyer Credit Suisse. Blerësi i filialit në Rumani, që ka një rrjet prej 110 degësh, do të paguajë gjithashtu një kredi prej 550 milionë euro që Banka Romaneasca ka marrë nga NBG, duke dhënë një nxitje të likuiditetit, raporton Reuters.
Përveç Romaneasca, kreu ekzekutiv tha se NBG do të shesë operacione të tjera më të vogla në Serbi, Shqipëri dhe Qipro, duke u përputhur me angazhimet e rëna dakord me rregullatorët. “Më shumë se 90% e procesit të ristrukturimit ka përfunduar. Këto operacione përbëjnë një pjesë shumë të vogël të angazhimeve”, tha ai, duke shtuar se proceset e shitjes janë në zhvillim.
NBG ka shitur njësinë turke Finansbank, njësinë e investimeve NBGI që manaxhohet tashmë nga Detusche Bank, njësinë bullgare UBB, operacionet në Afrikë e Jugut dhe njësinë e sigurimeve.
Këto shitje kanë nxitur kapitalin bazë kundrejt aktiveve të ponderuara me risk me 750 pikë bazë. Kjo i ofron huadhënësit lehtësim përpara raundit tjetër të stress test-it nga Banka Qendrore Europiane, për të cilën kreu ekzekutiv tha se nuk do të sjellë problem për grupin. Banka ka reduktuar huamarrjen nga financimi emergjencë i Bankës Qendrore (ELA) në 5.8 miliardë euro dhe pret që shifra të tkurret përsëri në vitin që vjen.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.