Plani për Alpet, Klosi: 980 mln euro përfitimi ekonomik, dyfishim të turistëve në 5 vjet
Zhvillimi i masterplanit për Alpet pritet të realizojë një përfitim ekonomik prej 980 milionë euro, ndërsa deri në vitin 2031 numri i turistëve do të shkojë në 600 mijë në vit. Projekti nuk do të prek natyrën, ndërsa do të përkthehet në më shumë të ardhura dhe mirëqenie për qytetarët, deklaroi ministri i Turizmit dhe Mjedisit Blendi Klosi në mbledhjen e Këshillit Kombëtar të Territorit në Shkodër.
“Përkthimi në ekonomi, në të ardhura, përkthimi në më shumë mirëqenie qytetarët i asaj çfarë ne na ka falur natyra. Dhe në këtë drejtim Alpet ofrojnë shumë mundësi me bujarinë e tyre. Miratimi sot i masterplanin, është një epokë e re për krijimin e magjisë së Alpeve tona për ta shndërruar atë realisht në një pol shumë të zhvilluar turistik. Plani i zhvillimit të alpeve kalon në tre faza, dhe llogaritja është bërë në një periudhë 15 vjeçare. Përfitimi ekonomik që pritet të realizohet nga kjo degë kaq e rëndësishme e turizmit shqiptar, i kap shifrat sipas kalkulimit në plot 980 milionë euro.
Zhvillimi i projektit nuk do të prek, do të mbaj të pa transformuar elementët karakteristik të zonës, peizazhin e ashpër, mistikën, mundësinë e zhvillimit të mëtejshëm të aventurës, mitologjinë dhe traditën folklorike të zonës, dhe synon të ktheje udhëtimin tranzitor në industri të qëndrueshme prodhimi turizmi.
Çdo pesë vjeçar synojmë dyfishim të ardhjes së turistëve. Në vitin 2016, 67 mijë turistë vizituan Alpet, ky numër do të shkojë në 102 mijë në 4-5 vite, ndërsa në 2031 në 600 mijë turistë”.
Klosi renditi pesë arsyet pse Alpet u zgjodhën si një nga polet e para për tu zhvilluar:
- Është një produkt turistik elitar, i shpejt dhe që mund të prodhohet menjëherë
- Është shumë pranë produkteve të njëjta me standardet europiane, shumë i konkurrueshëm në tregun e turizmit global
- Alpet do të paraqiten si një produkt i gatshëm për t’iu afruar këtij tregu global të zhvillimit të turizmit shqiptar.
- Do të jetë një produkt i bukur, se Zoti e ka krijuar të tillë, unik, të bukur, të magjishëm
- Kemi zhvilluar këtë projekt se është shumë i rëndësishme dhe i nevojshëm , për të qenë i gatshëm për t’iu afruar paketave turistike q jetojnë kaq pranë Alpeve.
E.Z/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.