Plani vendor për Himarën, Gjiknuri: Të gjithë banorët që preken do kompensohen sipas ligjit në fuqi
Të gjithë banorët e Himarës që preken nga projekti i qeverisë për planin vendor, do të kompensohen ne përputhje me legjislacionin shqiptar. Kështu u shpreh Ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë Damian Gjiknuri gjatë takimit me banorët e Himarës, i shoqëruar me ministren e Kulturës Milera Kumbaro dhe kryebashkiakun e Gjergj Goro.
“Objektet janë përfshirë të gjitha në skemën e shpronësimit. Në përputhje me legjislacionin shqiptar, skema e shpronësimit do të vazhdojë dhe përgjithësisht ajo ka funksionuar edhe për projektin në fjalë. Nga ana tjetër, ka persona që kanë pretendime në lidhje me tokën apo pronën ku kalon projekti. Ne si qeveri kemi marrë angazhimin që të sjellim një grup të veçantë për të bërë matjet e duhura, identifikimin dhe për të ndihmuar këta njerëz që të marrin certifikatat, në rastet kur u takojnë dhe në përputhje me ligjin për rastet kur e kanë të trashëguar apo të fituar sipas 7501. Qeveria shqiptare është e vendosur që projekti të vazhdojë por njëkohësisht, të gjithë banorët e prekur, qofshin ata me ndërtime apo troje e toka, të kompensohen sipas legjislacionit në fuqi”.
Projekti për Himarën do të nisë pas identifikimit të problematikave të fundit. Ky projekt përfshin ndërtimin e shëtitores, zgjerimin e disa hapësirave publike. Gjithçka është në interes të publikut dhe nuk bëhet fjalë për projekte privat por për projekt që i shërben gjithë komunitetit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.