Planifikimi i territorit, Mali: 17 bashki s’kanë plane vendore, duhen 1.5 mln euro
1.5 milionë euro është buxheti i nevojshëm për hartimin e planeve të përgjithshme vendore në 17 bashki të vendit, që aktualisht nuk e kanë nisur ende hartimin e tyre për shkak të mungesës së financimit”. Të dhënat janë bërë me dije nga drejtoresha e Planifikimit Vendor, pranë Agjencisë Kombëtare të Planifikimit të Territorit, Fiona Mali, e cila ishte e ftuar në studion e TV SCAN për të folur mbi ecurinë e këtij procesi.
“Kanë mbetur vetëm 17 bashki, për të cilat ministri i Infrastrukturës dhe Energjisë, Z. Gjiknuri ka lajmëruar se do të mbështeten në 2018, 10 bashki të tjera. Po ashtu ne i kemi bërë thirrje edhe donatorëve që të mundohen të mbështesin pjesën që ka mbetur, për ndryshe po prapë qeveria do t’iu vijë në ndihmë. Për 17 bashkitë e mbetura, të cilat zënë rreth 22 për qind të territorit të të gjithë Shqipërisë, hartimi i PPV do të kushtonte 1.5 mln euro”, shprehet Mali.
Sipas Malit, Agjencia do të ngrejë një sistem të përgjithshëm monitorimi për ato bashki, që tashmë e kanë miratuar planin e përgjithshëm vendor.
“Po ndërtohet në platformë e cila duhet të pasurohet me një sërë të dhënash, duke nisur nga mjedisi deri te zhvillimi urban, me të dhëna që do të mblidhen nga institucionet përkatëse por edhe nga bashkitë nëpërmjet zbatimit të tyre të planeve. Periodikisht çdo një vit do të hartohet një raport monitorimi, i cili do të bëjnë një pasqyrë të asaj çfarë ka ndodhur me territorin për vitin. Kemi punuar paralelisht për këtë platformë përreth një vit dhe shpresojmë që të nisë aplikimi i saj nga fillimi i vitit tjetër. Kjo do të jetë edhe një platformë deri diku studimore, do të vendoset padyshim online dhe të gjitha të dhënat do të jenë të akseueshme edhe për publikun. Ndërkohë që është edhe platforma paralele e regjistrit kombëtar të planifikimit të territorit që do të mundësojë “e-planifikimin”, po ashtu nëpërmjet zbatimit të planeve më të detajuara një platformë ku do të monitorohet zbatimi i PPV, por edhe planeve më të larta në hierarki”, theksoi Mali.
Që prej vitit 2016, kur nisi hartimi i planeve të përgjithshme vendore, 36 bashki i kanë përfunduar, ndërsa 8 të tjera janë ende në proces.
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.