Platforma kombëtare për strehimin – Në 2017-ën, 238 familje kanë përfituar subvencionim të qerasë

Ministria e Zhvillimit Urban prezantoi platformën kombëtare elektronike për shërbimet sociale me fokus strehimin. Kjo platformë sipas ministres, Eglantina Gjermeni do të shërbejë si udhërrëfyes për adresimin e nevojave të qytetarëve për strehim.
“Më vjen mirë që ministria që unë drejtoj ka autorësinë tashmë mbi dy sisteme elektronike që është ai i lejeve të ndërtimit, funksional prej mëse një viti dhe sistemi i licencave të vlerësuesve të pasurive të paluajtshme dhe profesioneve të lira. Nisur nga eksperienca shumë pozitive e krijuar tashmë falë dixhitalizimit të shërbimeve publike qoftë atyre të ofruara nga Ministria e Zhvillimit Urban në bashkëpunim me Agjencinë Kombëtare e Shoqërisë së Informacionit apo dhe shërbimeve të qendërzuara tashmë nëpërmjet Qendrës së Ofrimit të Shërbimeve Publike të Integruara (ADISA) mbetemi entuziast se krijimi i një platforme elektronike kombëtare për strehimin social do të lehtësojë ndjeshëm zbatimin dhe aplikimin e programeve sociale. Gjithashtu ky sistem elektronik do t’i vijë në ndihmë edhe bashkive për të proceduar më shpejt aplikimet për strehim, por edhe për të pasur një pasqyrë më të saktë të nevojave për strehim që do t’i shërbejë në buxhetimin vjetor për strehimin social”, tha ministrja Gjermeni në fjalën e saj.
Gjermeni shtoi se Platforma elektronike do të lehtësojë zbatimin dhe aplikimin e programeve sociale të parashikuara në Strategjinë e Strehimit Social 2016-2025. Po ashtu do të ndihmojë në shkëmbimin e eksperiencave më të mira nga vendet pjesëmarrëse.
Gjatë viti 2017 subvencionimi i qerasë për banesat në treg të lirë të kontraktuara nga njësitë vendore kapi shifrën prej 6.138.012 lekë ku u financuan 238 familje , 149 familje më shumë se një vit më parë.
Nertila Doko/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.