Platforma/Dhomat bilaterale të Tregtisë në Shqipëri listojnë garancitë që duhet t’u ofrohen investitorëve të huaj

Në një takim te Dhomave Bilaterale (huaja) në Shqipëri, të mbajtur në zyrat e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe, përfaqësuesit e Dhomave më me zë në Shqipëri ranë dakord që të krijojnë një platformë më të mirë të komunikimit midis këtyre institucioneve me qëllim unifikimin e informacionit, thjeshtëzimit të tij në mbështetje të kërkesave të investitorëve të huaj që dëshirojnë të vijnë në Shqipëri.
Gjithashtu, edhe 11 Dhoma dhe organizata të tjera të biznesit kanë shprehur mbështetjen e tyre ndaj këtij propozimi. Referuar njoftimit zyrtar të Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe, “Dhomat Bilaterale te Britanisë, Gjermanisë, Austrisë, Turqisë dhe Dhoma Botërore e Tregtisë ICC propozuan mbi strukturën dhe ecurinë e këtij bashkëpunimi”.
Takimi u drejtua nga Drejtuesi i Lartë i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Shqipëri-Britani e Madhe Lordi Watson i Richmond dhe Presidenti i saj Zenel Hoxha.
Gjatë takimit, pjesëmarrësit ishin unanim në faktin se investitorët e huaj në Shqipëri ndeshen me vështirësi reale, duke përfshirë mungesën e transparencës në kriteret e vendimmarrjes dhe politikë bërjes në Parlament por edhe në implementimin e këtyre vendimeve nëpërmjet nën ligjeve mbështetëse. “Kjo në përgjithësi krijon problematika që çon në çështje gjyqësore të cilat marrin jashtë mase shumë për t’u zgjidhur në gjykata dhe gjithashtu marrëveshjet pësojnë ndryshime arbitrare të kushteve fillestare duke çuar në zhvlerësimin apo tjetërsimin e oportunitetit të biznesit për të cilën kompanitë kanë investuar” shkruhet në deklaratë.
Gjithashtu të pranishmit theksuan se kanë bindjen se një pjesë e mirë e deputetëve apo politikanëve në përgjithësi nuk arrijnë të kuptojnë nevojat e biznesit dhe rrjedhimisht u ra dakord unanimisht që të përgatitet një deklaratë e Dhomave Bilaterale ku të listohen kërkesat për garanci që kërkojnë investitorët e huaj, për të fituar besimin e tyre dhe investimet e tyre.
Të gjithë të pranishmit ishin dakord me potencialin ekonomik që ka Shqipëria, në shumë sektorë si minierat, turizmi dhe bujqësia dhe gjithashtu ishin të njëjtin mendim kur shprehen kritikën e tyre për mos shfrytëzimin e këtyre potencialeve dhe mbajtjes se tyre jashtë përdorimit për interesa te ngushta klienteliste. Grupi do të dërgojë dokumentin e përbashkët në Parlament dhe prioritet do të jetë rritja e dialogut me partitë në pushtet dhe opozitare. Dhomat Bilaterale do të takohen sërish në muajin qershor kësaj here në zyrat e Dhomës Ndërkombëtare të Tregtisë ICC Albania.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.