“Plazh i lirë” – Policia liron 1500 m2, procedohen penalisht 3 zyrtarë
Policia e Shtetit në vijim të operacionin “Plazh i lirë” ka liruar 1500 m2 plazh i zaptuar në mënyrë të paligjshme.
Sipas njoftimit janë sekuestruar 200 shezlongë dhe 140 çadra plazhi, të vendosura në mënyrë të paligjshme në hapësirat publike.
Policia ka proceduar tre pronarë subjektesh për veprat penale “Fshehja e të ardhurave” “Mospagim i taksave” dhe “Pushtimi i tokës” si dhe janë proceduar penalisht edhe 3 zyrtarë të Bashkisë Kavajë për shpërdorim detyre.
Komisariati i Policisë Kavajë në bashkëpunim me strukturat përkatëse ka ushtruar kontroll në subjektet që ushtrojnë aktivitet biznesi në zonën e bregdetit në plazhin e Golemit në Kavajë.
Rezultat i këtyre kontrolleve ka rezultuar se 3 subjekte tregtare ushtronin aktivitet të kundërligjshëm në shfrytëzimin e hapësirës së plazhit (rërës), pa paguar detyrimet financiare dhe pa u pajisur me kontratë qiraje për përdorimin, nga Bashkia Kavajë. Njoftimi bëri me dije se në përfundim të veprimeve u proceduan penalisht shtetasit E. F., B. Ç. dhe M. B., administratorë të këtyre subjekteve.
Gjithashtu, policia bëri me dije se gjatë operacionit u proceduan penalisht për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, 3 zyrtarë të Bashkisë, të cilët nuk kanë kryer detyrën, duke lejuar që këto biznese dhe të tjera të proceduara më parë nga Policia, të ushtronin aktivitet në mënyrë të kundërligjshme, konkretisht shtetasit P. P., me detyrë përgjegjës i Zyrës së Kadastrës Urbane dhe të Menxhimit të Aseteve Publike, në Bashkinë Kavajë, M. Sh., me detyrë Drejtor i Drejtorisë së Tatim Taksave Vendore në Bashkinë Kavajë dhe Q. L., me detyrë Kryeinspektor i Policisë Bashkiake në Bashkinë Kavajë.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.