Po vijnë 3 koncesione, mund të rëndohet buxheti – KLSH: Rrezikon të kalohet kufiri prej 5% i të ardhurave tatimore
Në raportin më të fundit mbi auditimet e kryera lidhur me kontratat e Partneritetit Privat-Publik, Kontrolli i Lartë i Shtetit paralajmëron se shpejt Qeveria do t’i duhet të nisë pagesat për tre koncesione të reja, të cilat mund ta kalojnë këtë zë të buxhetit përtej kufirit prej 5% të të ardhurave tatimore. Në raport, KLSH konstaton edhe parregullsi të tjera, siç është kryerja e pagesave përtej modeleve të caktuara në kontrata.
Sa i takon auditimit të kontratave koncensionare, thekson raporti, është konstatuar kryerja e pagesave për këto kontrata përtej nivelit të miratuar në modelin financiar, duke ndryshuar financimin e tyre edhe në periudha të vështira për buxhetin e shtetit (në të cilat u ndalua kryerja e shumë shpenzimeve publike), siç ishte tërmeti i datës 26.11.2019. Gjithashtu problematikë ka vijuar të mbetet fakti që këto kontrata nuk regjistrohen në SIFQ në vlerën e tyre të plotë sipas angazhimeve të ndërmarra.
KLSH ka kërkuar vëmendje të shtuar në administrimin e risqeve që vijnë nga kontratat koncesionare/PPP, në mënyrë që të ruhet kufiri i parashikuar i pagesave të koncesioneve/PPP-ve brenda nivelit 5% të të ardhurave tatimore, duke marrë në konsideratë që përgjatë viteve të ardhshme nisin pagesat për 3 projekte koncesionare në fushën e infrastrukturës publike dhe nga ana tjetër pritshmëritë për rënie të të ardhurave tatimore si pasojë e ngjarjeve të tërmetit dhe situatës së pandemisë Covid -19.
Ndërkaq, pritshmërinë për uljen e të ardhurave tatimore si pasojë e ngjarjeve madhore të tërmetit dhe pandemisë, sjellin një risk të shtuar për respektimin e kufirit të pagesave për koncesionet/PPP në nivelin e 5% të të ardhurave tatimore, në kushtet kur pagesat faktike rezultojnë në tejkalim të planit të miratuar në kontratën përkatëse, paralajmëron në raport Kontrolli i Lartë i Shtetit.
Lorenc Rabeta / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.