‘Policët bien nën pranga’ – Lejonin ndërtime pa leje kundrejt pagesave
Shërbimi për Çështjet e Brendshme dhe Ankesat (SHÇBA) në Ministrinë e Brendshme, në bashkëpunim me Prokurorinë e Shkodrës, njoftoi se pas një hetimi disa mujor me metoda pro-aktive ka goditur disa zyrtarë e shtetas. Sipas njoftimit shtetasit në fjalë dyshohet se favorizonin ndërtimet pa leje kundrejt shpërblimit financiar.
SHÇBA tha se kjo ka ndodhur në zona të shpallura të mbrojtura në Velipojë, Shkodër. Sipas njoftimit janë arrestuar 5 persona për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës” dhe “Korrupsionit pasiv nga persona që ushtrojnë funksione publike”, mes tyre 2 punonjës policie.
SHÇBA tha se në zbatim të vendimit të Gjykatës, e cila ka caktuar masën ‘Arrest në burg” janë arrestuar: P.Z., me detyrë Specialist në Hetimin e Krimeve, në Stacionin e Policisë Velipojë; R.B., me detyrë SPZ, në Stacionin e Policisë Velipojë dhe R.K., me detyrë Inspektor i Policisë Ndërtimore në Bashkinë Shkodër.
Po ashtu, janë ndaluar edhe dy shtetasit: N.K., 45 vjeç, nga Mali Jushit, Shkodër dhe B.N., 37 vjeç, nga Velipoja.
Sipas njoftimit, personat në fjalë në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke keqpërdorur atributet që u jepte detyra, punonjësit e Policisë dhe ai i IMT-së, dyshohet se kanë lejuar që në zonën e Velipojës të kryhen ndërtime pa leje në masë. SHÇBA tha se nga veprimet hetimore të kryera, është dokumentuar me prova ligjore veprimtaria e kundra ligjshme për funksionarët publik dhe dy shtetasit.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.