Policia angleze: Goditja fatale me thikë e deputetit britanik është një incident terrorist!
Policia britanike shpalli goditjen me thikë fatale të Sir David Amess si një incident terrorist ndërsa hetimi për incidentin vazhdon. Anëtari konservator i Parlamentit të Mbretërisë së Bashkuar, nga Southend West, u godit me thikë gjatë një takimi në një kishë dhe vdiq në vendngjarje.
“Hetimi i hershëm ka zbuluar një motiv të mundshëm të lidhur me ekstremizmin islamik,” tha policia britanike në një deklaratë brenda natës. Policia arrestoi një 25-vjeçar të dyshuar për vrasje pas sulmit, i cili ndodhi mesditën e së Premtes në qytetin bregdetar anglez Leigh-on-Sea.
Policia britanike thotë se besohet se burri ka vepruar vetëm, por hetimet për incidentin janë duke u kryer me policinë që po kryen kontrolle në dy adresa në zonën e Londrës.
Boris Johnson tha se ishte “plot tronditje dhe trishtim” për vdekjen e deputetit i cili “u vra në operacionin e tij elektoral, në një kishë, pas gati 40 vjet shërbimi të vazhdueshëm ndaj njerëzve të Essex dhe të gjithë Mbretërisë së Bashkuar “.
“Ai ishte një nga njerëzit më të mirë, më xhentil, më të butë në politikë,” shtoi ai. Politikanët britanikë i bënë homazhe deputetit dhe shprehën tronditjen e tyre për incidentin.
Johnson dhe lideri i Laburistëve Keir Starmer mbërritën në vendin e ngjarjes të Shtunën në mëngjes për të vënë lule në nderim të deputetit. Atyre iu bashkua Kryetarja e Dhomës së Komunave Lindsay Hoyle dhe politikanë të tjerë.
Kjo vjen pesë vjet pasi deputetja e laburistëve Joe Cox u godit me thikë për vdekje në zonën e saj elektorale. Një ekstremiste e ekstremit të djathtë u dënua për vrasjen e saj. EN
E . S / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.