Policia e Shtetit publikon masat e reja – Dervishaj: Në raste të shkeljeve do të aplikohen masa administrative
Të gjithë shtetasit që për arsye punë do të lëvizin përtej orës 23:00 duke filluar nga 1 qershori, duhet të jenë të pajisur me leje nga e-Albania ose të kenë dokumentin që vërteton se është punonjës në një nga shërbimet kritike. Po duke filluar nga kjo date, orari i ndalimit të muzikës në çdo mjedis është përcaktuar ora 22:00. Këto janë dy masat e komunikuara nga policia e shtetit. Në një konferencë për mediat, zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Albert Dervishaj, i bëri thirrje qytetarëve të zbatojnë rregullat, pasi në të kundërt do të aplikohen masat administrative.
Dervishaj tha se të gjitha dënimet administrative të vendosura me pezullim të lejeve të drejtimit për një periudhë trevjeçare apo të shoqëruara dhe me bllokim të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij, në zbatim të Aktit Normativ zëvendësohen me dënimin me masë administrative me gjobë, me pezullimin e lejes së drejtimit për 30 ditë dhe me masën administrative plotësuese të bllokimit të mjetit apo lejes së qarkullimit të tij për një periudhë prej 30 ditësh.
Zëvendësdrejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit sqaroi se kjo masë e ndërmarrë, përfshin vetëm masat për heqjen e lejeve të drejtimit dhe masën plotësuese të bllokimit të mjetit vetëm për periudhën e pandemisë.
Nertila Doko / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.