Policia private, mbi 236 kompani në treg. Mungon “fuqia” për siguri
Ngjarjet e ditëve të fundit kanë rikthyer edhe një herë në vëmendje të publikut problemet që ka siguria në vend, duke ju referuar sigurisë me polici private. Aktualisht numri i kompanive private që operojnë në treg është 236, ku 214 janë kompani të sigurisë fizike dhe 22 të shoqërimit të vlerave monetare.
Në këto kompani janë të punësuar rreth 8900 punonjës dhe ushtrojnë funksionin e tyre në 2700 subjekte. Nëse bëjmë një krahasim me një vit më parë numri i kompanive ka ardhur në ulje. Kështu deri në fund të vitit 2015 ka qenë 294 kompani me rreth 8400 të punësuar.
Sa i përket shpërndarjes gjeografike të kompanive të sigurisë private në vend pjesa më e madhe e tyre janë përqendruar në kryeqytet ku numërohen më shumë se 150 të tilla. Në përgjithësi SHPSF-të në Shqipëri janë shoqëri private që zotërohen nga një, dy apo disa individë.
Pjesa më e madhe e pronarëve janë ish biznesmenë të fushave të ndryshme, ndërsa gati 20% janë ish oficerë policie. Sa i përket aksesit që kanë këto kompani në fondet publike duke ju referuar tenderave që kanë fituar ndër vitet sipas studimit shumë pak prej tyre rezultojnë fituese sistematike.
Kështu janë renditur pesë kompani të sigurimit privat të cilat kanë fituar tendera në vlera të konsiderueshme, të pesta këto kompani në 2012 kanë fituar 9.2 milionë euro, në 2013 kanë fituar 10.4 milionë euro dhe në 2014 kanë fituar 10.9 milionë euro. Ndërkohë që sipas studimit të ardhurat vjetore të tyre llogariten mbi 40 milionë euro në vit.
Entela Barjamaj/RTV SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.