Policia sekuestron 3000 euro të falsifikuara
Policia Shtetit ka përfunduar me sukses operacionin “Kartëmonedha” duke sekuestruar 3000 euro që dyshohen të jenë të falsifikuara dhe ka arrestuar në flagrancë katër shtetas në Fier.
Në bashkëpunim me Drejtorinë Vendore të Policisë Gjirokastër, Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik e Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Fier, pas informacioneve të marra në mënyrë operative, finalizuan operacionin e koduar “Kartëmonedha”.
Policia ka njoftuar se si rezultat i operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit G.F, 26 vjeç, A.Sh, 35 vjeç, E.G, 31 vjeçe dhe E.Z, 34 vjeç, banues në Memaliaj, Tepelenë.
Gjatë kontrollit të ushtruar në mjetin tip “Volkswagen” me të cilin shtetasit po udhëtonin u bë edhe arrestimi i tyre në vendin e quajtur “Rreth rrotullimi i parkut” Fier. Shtetasve i janë gjetur dhe sekuestruar një sasi prej 6 kartëmonedhash me vlerë 3000 euro, me të njëjtin numër serie të cilat dyshohen se janë të falsifikuara.
Materialet e sekuestruara iu dorëzuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Fier për hetim të mëtejshëm në ngarkim të shtetasve të mësipërm për veprën penale “Falsifikimi i monedhave i kryer në bashkëpunim”.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.