“Politika ‘zero-Covid’ e Kinës, po dështon” – FMN: Me variantin Omicron, po i bën më shumë dëm ekonomisë
Shefja e Fondit Monetar Ndërkombëtar, Kristalina Georgieva, tha se politika “zero-covid” e Kinës, po kthehet gjithë e më shumë në një barrë, që po pengon rimëkëmbjen ekonomike brenda dhe jashtë vendit. Gjatë një interviste tek mbledhjet në Davos, për Forumin Ekonomik Botëror, Kristalina Georgieva tha se strategjia e karantinimit, pavarësisht se kishte sukses në fillim, po paraqet tashmë më shumë rreziqe se sa përfitime. “Zero covid” i referohet përpjekjeve për të eliminuar tërësisht virusin, përmes masave të shëndetit publik si karantina, testime në masë dhe mbyllja e kufijëve.
“Politika e zero-covid, për disa kohë, nuk ka përmbajtur infeksionet në Kinë”- tha Georgieva, duke shtuar se varianti tejet i transmetueshëm Omicron, ka ulur efektshmërinë e këtyre masave. Sipas saj, këto kufizime janë kthyer në një barrë ndaj ekonomisë, jo vetëm për Kinën, por të gjithë vendet në botë ku Kina është burim i ofertës. Me mbi 2 vite në pandemi, dhe me shfaqjen e variantit Omicron, Georgieva theksoi se është e rëndësishme për të gjithë vendet që të rivlerësojnë mënyrën më të mirë për t’i bërë ballë pandemisë.
Në rastin e Kinës, mund të bëhet së shpejti e paqëndrueshme për të përmbajtur valën e fundit, pa pasoja të mëdha ekonomike. Sipas Georgieva, omicron ka treguar se një variant tejet i transmetueshëm i Covid, mund të jetë shumë më i vështirë për t’u kontrolluar, pa dëmtuar ashpër ekonominë. Kina është përpjekur së fundmi të nxisë ekonominë e ngadaltë dhe javën e kaluar, banka qendrore uli normën bazë të interesit, duke bërë kreditë për korporatat dhe familjet, më të lira.
Klevis Llaha / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.