Politikat fiskale 2018-2020 – Qeveria miraton kuadrin makrofiskal për 3 vitet e ardhshme

Politika fiskale për periudhën afatmesme 2018- 2020 do të jetë e orientuar drejt konsolidimit fiskal, ndërkohë që pritet të sigurojë një nivel optimal investimesh rreth 4.6 për qind të PBB (përfshirë këtu edhe Fondin e Zhvillimit Rajonal, si dhe investimet në sektorin e energjisë të financuara nga buxheti i shtetit).
Konsolidimi fiskal dhe reduktimi i borxhit publik është thelbësor për uljen e risqeve të ardhura nga borxhi, të cilat pengojnë rritjen ekonomike dhe shkaktojnë paqëndrueshmëri makroekonomike. Këto janë parimet kryesore që Ministria e Financave ka programuar në Kuadrin Makro Financiar 2018-2020, dokument që është miratuar tashmë nga qeveria.
Ky kuadër fiskal synon një deficit fiskal të përgjithshëm prej 1.8 për qind të PBB-së për 2018, nga 2.0 për qind i programuar për vitin 2017; nivel prej 1.0 për qind të PBB në 2019; dhe 0.6 për qind në vitin 2020.
Sipas këtij dokumenti, njëkohësisht targëtohet në vijimësi një balancë primare pozitive dhe në rritje për vitet 2018-2020, respektivisht 1 për qind në 2018 nga 0.7 për qind i targetuar në buxhetin 2017; 1.8 për qind në 2019; dhe 2.3 për qind në vitin 2020.
Ky konsolidim fiskal do të bëjë të mundur që niveli i borxhit publik ndaj PBB-së të vijojë trajektoren rënëse të nisur që në vitin 2016. Borxhi publik pritet që të bjerë rreth nivelit e 66.3 për qind e PBB-së për 2018, 62.8 për qind në 2019 dhe më tej në 59.6 për qind në vitin 2020.
Në të njëjtën kohë, ky kuadër fiskal përfshin një serë politikash buxhetore për të mbështetur rritjen ekonomike dhe për të kompensuar efektet shtrënguese të konsolidimit fiskal.
Investimet publike në periudhën afatshkurtër dhe afatmesëm parashikohen të mbahen në të paktën 4.6 për qind të PBB-së, e cila është e rëndësishme për të ushqyer kërkesën agregate në afat të shkurtër dhe për ta zhvendosur rritjen ekonomike në një nivel të më të lartë në afat të mesëm dhe të gjatë.
Violeta Shqalsi/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.