Politikat fiskale të qeverisë – Reagon Tabaku: Janë rritur taksat dhe çmimet
Nënkryetarja e Komissinit Parlamentar të Ekonomisë, Jorida Tabaku ka reaguar pas fjalës së Ministrit Arben Ahmetaj, se qeveria ka ulur barrën fiskale për bizneset. Përmes një statusi në rrjetet sociale, Tabaku shkruan se qeveria “Rama” ka rritur taksat për sipërmarrjen, dhe konkretisht I referohet paketës fiskale 2018.
“Vetëm me paketën fiskale 2018, rritën taksën e pronës 2 deri më 4 herë. Pa folur për tatim fitimin, të ardhurat personale etj. Bizneset vazhdojnë të kenë besueshmëri të ulët për rritjen e ekonomisë ndërsa konsumatorët kanë besim të ulët në ekonomi. Borxhi publik është rritur në 71% prej PPP-ve ndonëse ministri vazhdon të këmbëngulë që PPP nuk paguhen nga paratë e shqiptarëve!” shprehet Tabaku.
Nga ana tjetër, deputetja e Partisë Demokratike, ndryshe nga sa tha ministri Ahmetaj për uljen e çmimeve, vë theksin tek rritja e kostos së jetës për qytetarët. “Kosto e jetesës për çdo qytetar është rritur, sipas INSTAT (raporti i fundit) çmimet e ushqimeve dhe pijeve joalkoolike janë rritur me 1.25 pikë përqindje. Ndërkohë që ka gjashtë vjet që çmimet e energjisë, karburantit dhe tarifat e arsimit të lartë rriten ndërsa të ardhurat e qytetarëve pakësohen si pasojë e taksave, te cilat sot janë me te lartat ne rajon” nënvizon Tabaku.
Elisabeta Dosku/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.