Polonia “largon” euron – “Duhen 10-20 vite, në mënyrë që ekonomia të konvergojë”

Partia “Ligj dhe drejtësi” që drejton qeverinë në Poloni bëri të ditur se vendi nuk do të adaptojë euron për 10 deri në 20 vitet e ardhshme, pasi më herët do të cënonte politikat e pavarura, duke e bërë Poloninë një vend periferik në bllokun e valutës së përbashkët.
Ndërsa partia opozitare ka bërë thirrje për zëvendësimin e valutës vendase me euron, zyrtarët e partisë “Ligj dhe drejtësi” thonë se ekonomia më e madhe lindore e Bashkimit Europian ka nevojë për pak kohë që të arrijë standardet e jetesës së Gjermanisë.
Lideri i partisë dhe ish-kryeministër i vendit, Jaroslaw Kaczynski, tha se futja e euros do të dëmtonte eksportet apo standardet e jetesës së polakëve, komente që shtojnë tensionet mes Varshavës dhe aleatëve europianë.
“Ne mund t’i bashkohemi euros kur produkti i Brendshëm Bruto për frymë të jetë ekuivalent me 85% të atij në Gjermani”, thotë Kaczynski.
Ndërsa ekonomia e Polonisë po rritet më shpejtë se mesatarja e Bashkimit Europian, gjë që e ka ndihmuar vendin përballë homologëve më të pasur, GDP për frymë në terma të fuqisë blerëse është ekuivalentë me 69% të mesatares së bllokut, tregojnë të dhënat e fundit të Eurostat.
Në vitin 2004, që solli zgjerimin më të madh të Bashkimit Europian, shifra për Poloninë qëndronte në 50%, që e bënte vendin të 6-tin më të varfër ndër 28 anëtarët.
Zv/kryeministri Mateusz Morawiecki, që manaxhon politikat ekonomike të Qeverisë, tha se heqja dorë nga instrumentet si; emetimi i borxhit, caktimin e normave të interesit nga një bankë qendrore e pavarur dhe zëvendësimi i valutës vendase, do të hiqte mjetet që i duhen vendit për të konverguar nga ana ekonomike me homologët.
“Në 10 apo 20 vite, kur parametrat kryesorë ekonomikë të jenë të ngjashëm me ato të Gjermanisë, Francës dhe Hollandës, atëherë mund ta konsiderojmë futjen e euros”, shtoi ai.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.