Polonia ndalon importet ruse të naftës ndërsa Gjermania bën thirrje për të kursyer energji!

Polonia thotë se po zbaton planin më radikal të Europës për të shkurtuar varësinë nga burimet ruse të energjisë. Kryeministri Mateusz Morawiecki njoftoi hapat të mërkurën për t’i dhënë fund të gjitha importeve të naftës ruse deri në fund të vitit 2022. Polonia tha të martën se po ndalonte importet e qymyrit rus. Morawiecki tha se pret që importet e qymyrit të përfundojnë në maj.
Varshava gjithashtu ka ndërmarrë hapa për të reduktuar varësinë nga gazi rus. Një terminal i gazit të lëngshëm u ndërtua në Swinoujscie dhe po zgjerohet tani, duke marrë dërgesa nga Katari, SHBA, Norvegjia dhe eksportues të tjerë. Një tubacion i ri baltik që sjell gaz nga Norvegjia do të hapet në fund të këtij viti.
Morawiecki thotë se Polonia do të ndërmarrë hapa për t’u bërë “e pavarur” nga furnizimet ruse dhe po u bën thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Europian që të “largohen” nga karburantet fosile ruse. Polonia argumenton se paratë nga eksportet e naftës dhe gazit po ushqejnë makinën luftarake të Rusisë dhe se kjo duhet të ndalet.
Ndërkohë, në Gjermani, qeveria lëshoi një paralajmërim të hershëm mbi furnizimet me gaz natyror dhe u bëri thirrje konsumatorëve të kursejnë energjinë mes shqetësimeve se Rusia mund të ndërpresë furnizimet nëse nuk paguhet në rubla.
Vendet perëndimore kanë hedhur poshtë kërkesën ruse për pagesa në rubla, duke argumentuar se kjo do të minonte sanksionet e vendosura kundër Moskës për luftën në Ukrainë. Ministri i Ekonomisë Robert Habeck tha se masa ishte një masë paraprake pasi, deri më tani, Rusia është ende duke përmbushur kontratat e saj. Por ai u bëri thirrje kompanive dhe familjeve në Gjermani që të fillojnë të reduktojnë konsumin e gazit.
Habeck, i cili është gjithashtu ministër i energjisë dhe zëvendëskancelar i Gjermanisë, tha se ky ishte i pari nga tre nivelet e paralajmërimit dhe kërkon ngritjen e një ekipi krize në ministrinë e tij që do të rrisë monitorimin e situatës së furnizimit me gaz. Shoqata gjermane e industrisë së energjisë BDEW përshëndeti masën e qeverisë. RTS
Edel Strazimiri / SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.