Popullsia në Shqipëri “zvogëlohet” me 26 mijë banorë. Tirana qarku me numrin më të lartë të popullsisë, Gjirokastra në rënie
Nga 1 Janari 2012 deri në 1 Janar 2017 popullsia e vendit tonë është zvogëluar me rreth 26 mijë banorë, ekuivalente kjo me një normë rritjeje negative prej 0,18 % çdo vit.
Lajmi është dhënë nga INSTAT, ku ndër të tjera në një raport të fundit thuhet se ndryshimet në popullsi vijnë si rezultat i dy komponentëve: shtesës natyrore të popullsisë dhe migracionit neto.
Gjatë 2012-2016 popullsia e Shqipërisë ka rënë mesatarisht çdo vit me 1,8 për mijë banorë. Vetëm 2 qarqe, Tirana dhe Durrësi kanë pësuar rritje çdo vit në periudhën 2012-2016, ndërsa 9 qarqet e tjera përveç qarkut të Vlorës, i cili ka luhatje ndërmjet viteve, kanë pësuar rënie të popullsisë gjatë kësaj periudhe.
Koeficienti mesatar i ndryshimit gjithsej të popullsisë është negativ në nivelin 0,18 për qind ndërkohë që koeficienti i ndryshimit të popullsisë për qarqet shënon vlera më të ulta apo më të larta. Qarqet të cilët shënojnë një koeficient të ndryshimit të popullsisë më të lartë se ai gjithsej, madje edhe pozitiv, janë Tirana dhe Durrësi me përkatësisht 2,0 dhe 0,9 %.
Qarqet si Vlora dhe Berati kanë pothuajse koeficiente të përafërt ndryshimi të popullsisë krahasuar me koeficientin e ndryshimit të popullsisë në Shqipëri.
Nga ana tjetër, të gjithë qarqet e tjera shënojnë një koeficient të ndryshimit të popullsisë më të ulët se ai gjithsej. Koeficientin më të ulët të ndryshimit të popullsisë e ka qarku i Gjirokastrës me një rënie prej 2,9 %.
“Qarku i Tiranës ka rritjen më të lartë, mesatarisht me 19,8 për mijë banorë çdo vit në periudhën 2012-2016 ose e shprehur me terma absolute rreth 16 mijë banorë i janë shtuar këtij qarku mesatarisht çdo vit. Nga 9 qarqet të cilat kanë pësuar rënie, 3 prej tyre kanë një rënie më të madhe se 15 për mijë banorë mesatarisht çdo vit, ndërsa 6 qarqet e tjera kanë rënie mesatare në çdo vit më të vogël se 15 për mijë banorë gjatë kësaj periudhe. Qarku i cili regjistron edhe rënien më të madhe gjatë 2012- 2016 është ai i Gjirokastrës me 28,5 për mijë banorë mesatarisht në çdo vit. E shprehur kjo në terma absolute, ky qark ka pasur një rënie mesatarisht rreth 2 mijë banorë çdo vit në këtë periudhë. Qarku i Gjirokastrës ka rënien më të lartë krahasuar me qarqet e tjera prej 31,1 për mijë banorë gjatë 2015-2016. Koeficienti i ndryshimit mesatar të shtesës natyrore 2012- 2015 për secilin qark në krahasim me koeficientin gjithsej të ndryshimit të shtesës natyrore ka ndryshime të lehta. Këtu mund të veçohet qarku i Kukësit i cili ka një ndryshim të dukshëm, ku koeficienti mesatar i ndryshimit të shtesës natyrore është më i lartë se koeficienti gjithsej, ndërsa e kundërta ndodh me qarkun e Gjirokastrës ku ky koeficient është më i ulët se ai gjithsej, madje negativ”, thuhet në raportin e INSTAT.
Osman Dedja/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.