Portet “braktisen” nga pasagjerët, por rrisin volumin e mallrave – Transporti ajror mban rritjen e fortë

Tremujori i parë i vitit u mbyll me një rritje të fortë prej 11.9% të volumit të mallrave të transportuara me rrugë detare, pavarësisht një rënieje prej 15.8% në muajin Mars. Portet në vend regjistruan një volum mallrash të transportuara prej 936 mijë ton, gati 100 mijë ton më shumë se tremujori i parë i vitit 2017.
Rritja e volumit është e lidhur drejtpërdrejt me rritjen e shkëmbimeve tregtare, ku transporti detar zë 53,6% të importeve, dhe 58.8% të eksporteve.
Por sa i takon transportit të pasagjerëve, portet e vendit duket se po humbasin terren ndaj aeroportit të Rinasit. Pasagjerët që udhëtuan me rrugë detare në periudhën Janar-Mars ranë me 12%, numër i cili u përthith nga linjat ajrore që deklaruan një rritje të fortë prej 10.4%, ose rreth 52 mijë pasagjerë më shumë.
Për këtë periudhë, transporti ajror në Shqipëri numëron edhe tre shoqëri ajrore më shumë, duke e çuar numrin total në 19, ndërsa linja të tjera pritet të shtohen gjatë sezonit veror. Në total, numri i fluturimeve u rrit me 320 më shumë, në 5424 fluturime.
Por në segmentin e transportit të mallrave, transporti ajror është duke çaluar dhe ka një rritje nga viti në vit prej vetëm 8 tonësh, ose 1.6%.
Sa i takon hekurudhave, transporti i mallrave është në rënie për këtë tremujor, por në muajin e fundit shënoi një rritje të fortë prej 21.4%. Megjithatë në terma absolutë, kjo rritje përkthehet në vetëm 300 ton mallra më shumë të transportuara.
Një ecuri mjaft pozitive hekurudhat e kanë regjistruar në transportin e pasagjerëve, i cili ka një rritje prej 164%, duke regjistruar 7,881 pasagjerë në tre muaj. Me rehabilitimin e linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe shtimin e segmentin në drejtim të Rinasit, pritet që numri i udhëtarëve të shumëfishohet.
Angelo Haruni/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.