Porti i Durrësit – Autoriteti i Konkurrencës hap hetim
Autoriteti i Konkurrencës ka vendosur hapjen e një hetimi të thelluar ndaj ndërmarrjes “EMS-Albanian Port Operator” në tregun e shërbimit të ngarkim-shkarkimit për mallrat rifuxho në Terminalin Lindor të Portit të Durrësit.
Ndërmarrja në fjalë dyshohet për abuzim me pozitën dominuese në tregun përkatës, duke vendosur kushte të padrejta tregtimi dhe refuzuar aksesin në facilitetet e infrastrukturës që disponon ndaj ndërmarrjeve nënkontraktore për shërbimin e stivimit. Pas marrjes me koncesion të menaxhimit dhe operimit të Terminalin Lindor në Portin e Durrësit, ndërmarrja EMS Albanian Port Operator, ka lidhur marrëveshje për ofrimin e shërbimit stivador me ndërmarrjet ASC dhe Liburnet-1.
Nga krahasimi i dy kontratave të lidhura me ndërmarrjet stivadore ASC dhe Liburneti-1, rezulton se midis tyre ka ndryshime në kushtet kryesore, siç janë pjesa e fitimit në përqindje dhe volumet e shërbimit në ton. Ndërmarrja EMS për ndërmarrjen stivadore ASC ka caktuar pjesën e pagesës prej 33% të tarifave përkatëse të përpunimit të çdo lloj ngarkese, ndërsa për ndërmarrjen Liburnet – 1 pjesa e pagesës në përqindje ndryshon sipas llojit të ngarkesave.
Lidhur me volumet e shërbimit sipas kontratës me ndërmarrjen ASC palët marrin përsipër të sigurojnë shërbimet për një volum 650 mijë tonë në vit, ndërsa me ndërmarrjen Liburnet-1 volumi vjetor i shërbimeve lihet i papërcaktuar. Ndërmarrja EMS APO nuk ka respektuar detyrimin e saj për lidhjen e kontratave me kushte të njëjta bashkëpunimi dhe jo-diskriminuese.
Gjithashtu, sipas kontratave të nën-kontraktimit stivadorët nuk mund të hyjnë drejtpërdrejt në marrëdhënie me përdoruesit e portit, por janë të detyruar të kryejë shërbimet vetëm me kërkesën e EMS-së. Sipas këtyre kontratave EMS rezulton të jetë operatori i vetëm me të cilin përdoruesit e portit duhet të komunikojnë për realizimin e shërbimeve dhe kryerjen e pagesës së tarifave të përpunimit, duke i kufizuar në këtë mënyrë klientit të drejtën e përzgjedhjes së operatorit të tij të përpunimit.
Ersuin Shehu/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.