Porti i Durrësit merr masat për dhomën e karantinës/ Shpallet tenderi për pasagjerët dhe personelin e dyshuar me COVID
Autoriteti Portual Durrës ka shpallur një tender me fond 10.6 milionë lekë për rikonceptimin e karantinës epidemiologjike.
“Zona ekskluzive mendohet të jetë multifunksionale me karakter mjekësor e cila mos të shërbej jo vetëm si zonë karantinimi për koranavirusin por dhe si njësi shërbimi për ndërhyrje të ndihmës së parë nëse do nevojitet. Mos të jetë vetëm në shërbim të pasagjerëve, që dyshon ose që kanë të kenë rënë në kontakt me virusin, por dhe në shërbim të personeli të APD-së dhe personave që operojnë në port. Projekti synon rikonceptimin e të gjitha hapësirave aktuale të repartit të shëndetësisë” specifikohet në detajet e tenderit.
Referuar të dhënave të mëtejshme të projektit, ndërhyrjet që parashikohen janë riorganizimi i hapësirave të disponueshme, përmirësimi konstruktiv i ambienteve, si dhe ndërhyrja në rrjetin elektrik dhe hidrik.
Tenderi i shpallur në Agjencinë e Prokurimit Publik do të qëndrojë i hapur deri më 1 prill dhe ka një afat kohor për ekzekutim prej afro 2 muajsh, që nga nënshkrimi i kontratës me subjektin fitues.
Jenida Vladi/ SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.