Porto Rico shpall “falimentimin” – Borxhi në $74 mld, nis beteja ligjore me kreditorët
Porto Rico ka kërkuar zyrtarisht të hyjë në një procedurë falimentimi për të ristrukturuar borxhin gjigant, ndërkohë që bisedimet me kreditorët kanë dështuar.
Guvernatori i ishullit, Ricardo Rossello, lajmëroi gjatë javës se ka kërkuar që bordi federal i mbikëqyrjes të aktivizojë një formë të ristrukturimit të borxhit të ngjashëm me falimentimin.
Ristrukturimi i borxhit prej 74 miliardë dollarë të vendit, që përbën sasinë më të madhe në histori në tregun e obligacioneve lokale të Shteteve të Bashkuara, do të nisë një betejë ligjore mes ishullit dhe kreditorëve.
Ndër financuesit e vendit janë fonde mbrojtëse e të përbashkëta dhe gjykatësit federalë mund ti detyrojnë këto që të pranojnë kushte të pafavorshme të pagesave.
Ndërsa rrethanat për Porto Ricon janë të rralla, rasti i vendit shqetëson edhe shtete të tjera si Illinois, që përballen me vështirësi të ngjashme si rritjen e kostos së pensioneve, taksapagues që largohen nga vendi dhe zhvlerësime të kreditit që e bëjnë më të vështirë gjenerimin e parave.
Porto Rico ka qenë e ndaluar për të deklaruar falimentimin, por një ligj federal i kaluar në vitin 2016 e bën të mundur.
Porto Rico ka qenë në recesion që prej vitit 2006 dhe qeveritë pasuese kanë shtuar gjithnjë e më shumë nivelin e borxhit për të paguar shpenzimet operative vit pas viti.
Ndërkohë që portorikanët janë qytetarë amerikanë, taksapaguesit e ishullit mund t’i largohen masave shtrënguese e të drejtohen drejt kontinentit, duke lënë më pak njerëz që të paguajnë borxhin. Popullsia është 8% më e vogël se në vitin 2010.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.