Potenciali Japoni-BE, Abe dhe Merkel kërkojnë përfundimin e marrëveshjes tregtare

Kryeministri i Japonisë Shinzo Abe dhe Kancelarja gjermane Angela Merkel, bënë thirrje për të përfunduar një marrëveshje të tregtisë së lirë mes Bashkimit Europian dhe ekonomisë së tretë më të madhe në botë, pas 4 vitesh negociata.
Të dy liderët detajuan përfitimet e tregtisë së lirë në epokën dixhitale, gjatë një takimi në fundjavë. Negociatat mes BE dhe Japonisë për marrëveshje të tregtisë së lirë kanë filluar më 25 Mars 2013, por kanë hasur barriera për shkak të debatave mbi çështje nga industria e makinave e deri te produktet ushqimore.
“Japonia dhe Europa, vende që vlerësojnë lirinë dhe të drejtat njerëzore , që respektojnë parimet e demokracisë, duhet të bashkëpunojnë. Për rrjedhojë duhet të përfundojmë bisedimet për një marrëveshje ekonomike”, tha Shinzo Abe.
Merkel mbështeti komentet e kryeministrit të japonisë duke kritikuar Bashkimin Europian për proceset e ngadalta të vendimmarrjes. Japonia është partneri i gjashtë më i madh tregtar i Bashkimit Europian, pas Kinës dhe Rusisë.
Angazhimet mes dy liderëve vijnë pas takimeve të këtyre me Presidentin e Shteteve të Bashkuara Donald Trump, i cili i ka akuzuar të dy vendet si manipulues të valutës. Shinzo Abe shprehu idenë e ndërlidhjes teknologjike mes vendeve.
Duke folur për miliarda pajisje teknologjike të lidhura nëpërmjet internetit, të quajtur “Internet of Things”, Shinzo Abe tha se Gjermania dhe Japonia duhet të bashkëpunojnë për të nxitur inovacionin. Kryeministri i Japonisë bëri thirrje gjithashtu për standarde të përbashkëta teknologjike për të arritur këtë.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.