Pozita fiskale e Eurozonës – KE: Franca sipër limiteve, Italia përballet me sfida urgjente
Komisioni Europian deklaron se vendet e Eurozonës kanë përmirësuar pozitën e tyre fiskale, megjithatë Franca dhe Spanja qëndrojnë ende sipër limiteve të deficitit, ndërsa Italia përballet me sfida urgjente.
Vlerësimi vjen në një raport të rregullt që krahu ekzekutiv i Bashkimit Europian publikon çdo pranverë, për të rekomanduar reforma ekonomike për vendet anëtare dhe për të marrë masa disiplinore kundër vendeve që thyejnë rregullat. 19 vendet e Eurozonës kanë ulur deficitin total buxhetor në 1.5% të Produktit të Brendshëm Bruto të bllokut në 2016-ën.
Ky hendek, pritet të bjerë më tej këtë vit dhe tjetrin, shumë poshtë 3%-shit në raport me Produktin e Brendshëm Bruto, që është një ndër 5 kriteret e konvergjencës mes vendeve anëtare. Bashkimi Europian kishte një deficit agregat prej 1.7% vitin e kaluar, shifër që pritet gjithashtu të bjerë. Për shkak të përmirësimit të financave publike në Portugali dhe Kroaci, Komisioni deklaroi se kërkon të përfundojë procedurat e disiplinës kundër këtyre vendeve.
Megjithatë, Komisioneri Pierre Moscovici tha se rimëkëmbja ekonomike dhe përmirësimet në buxhet janë të pabalancuara. Franca, ekonomia e dytë më e madhe në Eurozonë, qëndron nën procedurat ndëshkuese për deficitin sipër 3% në raport me PBB. Hendeku pritet të zgjerohet në vitin 2018, nëse qeveria nuk miraton reformat e reja ekonomike në muajt që vijnë.
Spanja, Greqia dhe Italia, qëndrojnë gjithashtu nën procedurat ndëshkuese për deficitet e tepërta. “Italia ka një borxh publik tejet të madh, apo të dytin më të madh pas Greqisë, dhe është përfshirë në grupin e vendeve që përballen me sfida urgjente”, deklaron Komisioni.
Klevis Llaha/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.