PPP për rrugët, 678 mln euro – BB: Në vendet me korrupsion, kostot 15% më të larta
Me ofertën prej 50.5 mln euro, “Gjikuria” është kompania fituese e kontratës së Partneritetit Publik Privat për ndërtimin dhe mirëmbajtjen e rrugës Porti i Jahteve-Orikum-Dukat. Kjo do të jetë dhe kontrata e fundit PPP që do të nënshkruhet në kuadër të projektit të qeverisë shqiptare “1 miliard”, pas rrugës së Arbrit, autostradës Thumanë-Kashar dhe Milot-Balldren. Me shpalljen e fituesit të këtij aksi, vlera totale e kontratave PPP për vitin 2018 arrin në 678 mln euro.
Ndërkohë që, në jo pak raste institucionet ndërkombëtare kanë shprehur kritika për përzgjedhjen e këtij instrumenti për përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve. Përfaqësues të Bankës Botërore kanë deklaruar më herët për TV SCAN se PPP-të nuk mund të përdoren pa kriter dhe pa marrë në konsideratë efektet afatgjata në buxhet. Ndërkohë që, kritika janë adresuar edhe për kostot e larta të ndërtimit për 1 km rrugë.
Në rastin e kontratave të sipërpërmendura është e vështirë të gjesh një referencë të saktë për koston, duke qenë se në çmim është përfshirë edhe mirëmbajtja për një periudhë 13-vjeçare. Megjithatë, në një studim të detajuar, Banka Botërore arrin në përfundimin se kostot e ndërtimit të rrugëve rriten me 15% në vendet me korrupsion të lartë.
Ndërkohë që, sipas Indeksi të Perceptimit të Korrupsionit i Transparency International, shqiptarët janë të 91-tët në botë, ndër 180 ekonomi të marra në analizë. Për vitin 2018, ky indeks shënoi një përkeqësim në krahasim me vitin e kaluar, ku Shqipëria renditej e 83-ta në botë.
Milot – Balldren 161.5 mln euro
Thumanë – Kashar 226 mln euro
Rruga e Arbrit 240 mln euro
Orikum – Dukat 50.5 mln euro
Totali: 678 mln euro
Ola Mitre/SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.