Pr.ligji për sportin/ Mënyra e krijimit dhe e financimit të klubeve sportive. Si do të privatizohet “Kapitali Shtetëror”? Statusi i sportistit dhe trajnerit

“Përmirësim i politikave për sportin elitar dhe sportin në institucionet arsimore në drejtimin organizativ, teknik e funksional, qendror dhe lokal. Krijim i shanseve të barabarta e të kushteve për pjesëmarrjen në veprimtari sportive të të gjithë shtetasve shqiptarë. Mundësim i pavarësisë së plotë të institucioneve sportive që trajtojnë antidopingun, dhunën dhe drejtësinë në sport, si dhe rregullim i marrëdhënieve shtet-institucione sportive”. Këto janë disa nga pikat kryesore të përmendura në relacionin e projektligjit për sportin, të publikuar në faqen e Parlamentit.
Neni 21 i projektligjit i cilësuar si “Klubet sportive” parashikon qëllimin, mënyra e krijimit dhe financimin e klubeve sportive, ku më tej thuhet:
“Në këtë nen është përcaktuar statusi juridik i klubeve sportive, i cili do të sjellë rregullimin edhe të statusit ligjor të klubeve sportive aktuale shumë sportesh, duke i dhënë formën e munguar në ligjin aktual, si dhe duke parashikuar mundësinë që çdo organizatë që ka personalitet juridik të krijojnë klube sportive të një ose shume sporteve, të cilat kanë personalitet juridik. Në këtë nen parashikohet afatit kohor për plotësimin e procedurave të transformimit të klubeve aktuale”.
Ndërsa në nenin 22 i cilësuar si “Kapitali Shtetëror” është parashikuar privatizimi i kapitalit shtetëror ose paketa e aksioneve të zotëruara nga shteti në shoqëritë tregtare, me objekt ushtrimin e veprimtarisë sportive, nëpërmjet Ministrisë së Ekonomisë, në përputhje me rregullat dhe procedurat e përcaktuara në kuadrin ligjor “Për sanksionimin dhe mbrojtjen e pronës private, të nismës së lirë, të veprimtarive private të pavarura dhe privatizimit”.
Relacioni në shumë pika rendit edhe statusin e sportistit dhe të trajnerit, si dhe të drejtat e tyre për ushtrimin e veprimtarisë sportive si pjesë e një organizate sportive. Mund të klikoni këtu për t’u informuar më gjatë mbi relacionin e pr.ligjit për sportin.
SCAN
*Material i përgatitur nga portali SCAN. Ripublikimi mund të bëhet vetëm kundrejt citimit të autorësisë dhe burimit origjinal.